Ministria serbe shfaq filmin për brigadën “heroike” të dyshuar për krime

Ministria serbe e Mbrojtjes shfaqi premierën e një filmi dokumentar që nderon Brigadën e 125-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila është hetuar për përfshirje të dyshuar në krime lufte në Kosovë në 1999.

Të enjten në mbrëmje në Beograd, ministria serbe e mbrojtjes shfaqi filmin në lidhje me Brigadën 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave për të përkujtuar 40-vjetorin e krijimit të saj, pavarësisht pretendimeve se ajo ishte e përfshirë në krime lufte gjatë konfliktit etnik në Kosovë.

“Megjithëse Brigada e 125-të e Motorizuar u shpërbë në 2005, fryma e saj, e thurur me virtyte, së bashku me njësi të tjera heroike dhe të gjithë ata që morën pjesë në mbrojtjen e atdheut gjatë agresionit të NATO-s në 1999, formon bazën e vlerave mbi të cilat mbështetet Ushtria Serbe e ditëve të sotme”, tha ministria në një deklaratë.

Ministria tha se filmi ishte një “arritje e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Qendrës Ushtarake të Filmit Zastava”.

Filmi është pjesë e një serie prej gjashtë dokumentarësh që prezantojnë historinë e “disa prej njësive më të famshme të historisë së Ushtrisë Serbe”, shtoi ajo.

Prokuroria Serbe për Krimet e Luftës në vitin 2014 nisi një hetim nëse Brigada e 125-të e Motorizuar ishte e përfshirë në krime lufte. Komandanti i saj i kohës së luftës, gjenerali tashmë në pension Dragan Zivanoviç, ishte i vetmi gjeneral i Ushtrisë Jugosllave që u hetua në Serbi për krime lufte, për aq sa dihet publikisht.

Zivanoviç dha një urdhër më 24 prill 1999 që njësitë e brigadës së tij të vendosnin kontroll ushtarak mbi fshatrat Qyshk dhe Zahaq në Kosovë, pasi besohej se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin fshehur atje.

Prokuroria pretendoi se Zivanoviç ishte në dijeni se ndërsa ndiqnin këtë urdhër, këto njësi, të cilat përfshinin Skuadrën e 177-të të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, gjithashtu do të vrisnin civilë, do të plaçkitnin prona dhe do të dëbonin fshatarët nga shtëpitë e tyre.

Por në vitin 2017, prokuroria i pushoi hetimet.

Dymbëdhjetë ish-anëtarë të Skuadrës së 177-të të Ndërhyrjes aktualisht janë duke u rigjykuar për dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në fshatrat e Kosovës Zahaq, Qyshk, Pavlan dhe Ljubeniq në maj 1999. Aktakuza pretendon se ata vranë të paktën 118 shqiptarë etnikë.

Gjyqi është shoqëruar me shtyrje të përsëritura./ballkaninsight/