Foto: KALLXO.com

VIDEO: Flet avokati që u arrestua për ‘mashtrimin’ me pensionet nga Serbia

Ditën e djeshme një numër i madh i qytetarëve i janë drejtuar Hotelit “Grand” në Prishtinë sepse kanë dëgjuar se mund të aplikojnë për të marrë të drejtën që u takon dhe kështu të gëzojnë pensionin nga kontributet e tyre që gjenden në Serbi.

Kjo nismë thuhet se u nis nga një avokat dhe bashkëpunëtori i tij. Policia e Kosovës  thotë se dje ka arrestuar avokatin Ismet Shufta dhe Hilmi Kastratin, por që ata janë liruar me procedurë të rregullt.

Avokati Ismet Shufta ka folur për KALLXO.com, Ai thotë se nisma e tij është legale dhe se ai do të vazhdoj nëse ka interesim të pensionistëve.

“Unë supozoj që lajmërimi është bërë nga personi Hilmi Kastrati të cilin unë e kam angazhu që të nënshkruajnë pensionistët kontratat juridike për ndihmë juridike që unë e kam përpiluar njëkohësisht edhe autorizimin. Dhe ato dy shkresa ia kam dorëzu atij meqenëse ai është marrë me pensionistët për me lehtësu punën në aspektin teknik sepse jam me zyre në katin e pestë. Ashtu kam vendosur unë ai vetëm në mënyrë teknike me kry punën e nënshkrimit të autorizimit dhe kontratës për ndihmë juridike”, thotë ai.

Sipas avokatit Shufta fillimisht Kastrati e kishte kontaktuar atë për të diskutuar çështjen e pensioneve dhe pastaj ai pasi që thotë se e ka analizuar ‘Rastin Grudiq’ ka menduar se një organizim i tillë është i nevojshëm por insiston se nuk ka kërkuar para nga pensionistët.

“Në disa nene e kam cekë se nuk jepet paradhënie, nuk garantoj se do të kryhet puna dhe se krejt harxhimet sa i përket kësaj pune unë do t’i bëjë, unë me asnjë pensionist nuk kam kontaktu vetëm e kam përpilu kontratën për ndihmë juridike dhe autorizimin dhe aty kam kërku nga Hilmi Kastrati që pensionistët të nënshkruajnë dhe ata t’i përfaqësoj pa asnjë pagesë.  Sot Hilmi Kastrati më tregoj se janë bërë 22 apo 23 pagesa, pagesa është bërë përmes bankës për shkak të harxhimet që i ka Hilmia meqenëse i ka punëtorët unë nuk kam kurrfarë lidhje me pesëdhjetë euro dhe atë ai e ka vërtetu në deklaratën që e ka dhënë në polici ku ka thënë se ‘unë nuk kam pasur as njohuri që janë marrë as që kam marrë ndonjë pare asaj rroge”, thotë ai.

Ndërsa faktin që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e thotë se realizimi i pensioneve nuk bëhet në këtë formë, avokati e komenton si diçka që nuk qëndron.

“Këtë deklaratë e komentoj si diçka kryekëput politike nuk ka lidhje me logjikë as me të drejtën as me ligjet e aplikueshme të cilat janë të aplikueshme në Kosovë unë si avokat kam të drejtë kush do mundet me hy që unë me përfaqësu duke e bërë kontratën, autorizimin dhe mes tjerash e caktoj edhe përqindjen, nëse e nënshkruan atë në mënyrë legale si avokat i licencuar kam të drejtë me përfaqësu”, thotë ai.

Shufta pretendon që të bëjë kërkesë për të takuar kryeministren e Serbisë Anna Bërnabiq dhe Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale atje.

“Unë kam planifiku që kur i mbledhë deri në shtator pensionistët që lajmërohen, do ta ushtroj një kërkesë në mënyrë zyrtare, Ministrisë së Mirëqenies Sociale atje, Fondit Pensional të Serbisë dhe kërkesën do ta bëjë për Kryeministren Bërnabiq, dhe Ministrin e Mirëqenies Sociale Zoran Gjorgjeviq, të cilët janë kompetentë dhe do kërkoj takim me ata do ta shtroj çështjen e pensionistëve dhe ata duhet vetëm të aplikojnë, këtu nuk ka kurrfarë politike, kjo nuk është politikë”, thotë ai.

Nga ana tjetër i kontaktuar nga KALLXO.com Hilmi Kastrati nuk pranoi të flas pasi që tha se është rrugës dhe nuk ka mundësi ta bëjë këtë. KALLXO.com i ka dërguar edhe pyetje të shkruara të cilave ai nuk u është përgjigjur deri në momentet e publikimit të këtij artikulli.

Pensionistët dje janë deklaruar se ndjehen të mashtruar pasi që nuk kanë arritur të kuptojnë qartë se kush do i përfaqësoj dhe çfarë duhet të bëjnë, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është deklaruar se kjo nuk është forma e duhur e kërkimit të të drejtave të pensionistëve.