Vezët për Përpunim Shiten për Konsum në Kosovë

Shoqata e Shpendarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj rreth importit të kohëve të fundit të vezëve dhe destinimit të tyre për konsum përkundër se kanë deklaracion për përpunim.

Kryetari i kësaj Shoqate, Agim Sahiti, tha se vezët janë produkti i vetëm me të cilin Kosova i plotëson 100 për qind nevojat e saj.

Megjithatë, sipas tij, vendi vazhdon të importojë vezë si rezultat i çmimeve të ulëta.

“Edhe pse Kosova nuk ka nevojë për import të vezëve, për shkak se i plotëson nevojat, prapë se prapë import kemi. Dhe çka është më keq, sipas disa të dhënave që i kemi, brenda dy muajve të këtij viti kemi import gati sa ka pasur tërë vitin e kaluar. Nuk është ky import si rezultat i mungesës së prodhimeve, por si rezultat i çmimeve të ulëta nga importi, çmime që janë nën koston e prodhimit”, tha Sahiti.

Brenga më e madhe e Agim Sahitit është se vezët e importuara për përpunim po shiten për konsum.

“Dukuria e cila është paraqitur kohëve të fundit është paksa shqetësuese për shkak se kemi import të veve me deklaracion për përpunim, kurse ato shiten nëpër markete tona për konsum”, theksoi ai.

Sahiti njoftoi gjithashtu që sipas marrëveshjes me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, nga 15 prilli do të shënohen të gjitha vezët që prodhohen në Kosovë me RKS dhe numrin e fermerit.