Kreu i një grupi të veteranëve kroatë Josip Klemm

Veteranët Kroatë Gati për Takim me ish-Ushtarët Serbë

Lideri i veteranëve kroatë Josip Klemm, kryetari i Shoqatës së Policisë Speciale nga Lufta Atdhetare, tha për BIRN-in të mërkurën se ai është gati të bisedojë me veteranët serbë të luftës të cilët këtë javë bënë thirrje për dialog midis trupave që luftuan me njëri-tjetrin në vitet 1990.

Klemm konfirmoi se ai dhe veteranët kroatë të luftës që e mbështesin atë duan “të fillojnë një dialog së bashku me institucionet e të dy vendeve”.

“Dhe qëllimi i gjithçkaje është të gjejmë personat e zhdukur nga lufta e viteve 1990 në Kroaci, të përshpejtojmë procesin e gjetjes së personave të zhdukur,” tha ai.

“Nuk kemi kohë të përqafohemi dhe puthemi, por vetëm kështu mund të ndihmojmë familjet të gjejnë të afërmit e tyre të zhdukur. Është gjithmonë e nevojshme të nisim një dialog, të ulemi dhe të bisedojmë. Njerëz luftënxitës ekzistojnë ende, por unë s’mund ta mbështes një njeri të tillë, pavarësisht se nga cila anë vjen ai,” shtoi ai.

Megjithatë grupi i Klemm është vetëm një nga një numër i madh shoqatash që përfaqësojnë gjysmë milioni veteranë lufte të regjistruar në Kroaci.

Në vend ai njihet më mirë si një nga liderët informalë të një proteste të gjatë nga veteranët e luftës që filloi në tetor të vitit 2014 jashtë Ministrisë së Veteranëve të Luftës në Zagreb dhe vazhdoi deri në prill të këtij viti.

Komentet e tij erdhën pasi Zeljko Vukeliq, sekretari i Aleancës së Veteranëve të Luftës të Serbisë, ftuan veteranë kroatë të luftës të martën në një takim miqësor në qytetin verior serb të Novi Sadit.

Vukeliq tha se besonte se ish-armiqtë e kohës së luftës mund të uleshin dhe të bisedonin me respekt dhe të ofronin një mesazh paqeje dhe pajtimi.

Ai tha për BIRN-in të mërkurën se është i lumtur që në Kroaci ekziston ende dëshira e mirë dhe shpjegoi se organizatat e veteranëve të luftës mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur duke identifikuar vendet ku janë varrosur trupat.

“Këtë informacion mund ta marrim më lehtësisht nga veteranët tanë të luftës që në një farë mënyre ndoshta dinë diçka, por nuk flasin publikisht, por na tregoni neve dhe më pas do ta bëjmë ne publik atë informacion,” tha Vukeliq.

“Në këtë mënyrë, njerëzit tanë s’do të mendojnë se dikush do t’i ndjekë ata penalisht apo do t’i akuzojë ata si përgjegjës për personat e zhdukur që u vranë në aktivitetet e kohës së luftës apo në ndonjë mënyrë tjetër,” shtoi ai.

Klemm ka konfirmuar gjithashtu se disa kontakte midis organizatave kroate dhe serbe të veteranëve të luftës tashmë ekzistojnë.

Sipas administratës kroate të personave të zhdukur, vendi është ende në kërkim të 1.591 të qytetarëve të tij – si kroatë ashtu edhe serbë – të cilët u zhdukën gjatë luftës së viteve 1990.

Klemm shkaktoi polemika në Kroaci kur protesta e tij e veteranëve u shndërrua e dhunshme në maj 2015 dhe demonstruesit nuk pranuan të largoheshin nga sheshin i Shën Markut, ku ndodhen godina e qeverisë dhe ajo e parlamentit dhe u përleshën me policinë.

Zyra Kroate për Shtypjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, USKOK, ka ngritur gjithashtu një padi kundër Klemm-it për përfshirje të dyshuar të kompanisë së tij të sigurimit “Klemm” dhe klubit të basketbollit “Cibona” Zagreb, në lidhje me transferimin e yllit kroat të basketbollit Dario Sariq.

Gjykata e Qarkut të Zagrebit do të vendosë nëse do ta konfirmojë apo jo padinë më 17 tetor.