Gjykimi ndaj Vehbi Braha- 17.01.2019

Vehbi Braha, deklarohet rreth fajësisë për akuzat 'keqpërdorim i detyrës zyrtare'

Deklarohet i pafajshëm zyrtari financiar i Kompanisë Rajonale Ujësjellësi Mitrovicë

Vehbi Braha, i cili nga Prokuroria e Mitrovicës po akuzohet për kryerjen e dy veprave penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare u deklarua i pafajshëm sot para gjykatës

Më rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në Gjykatën e Mitrovicës, pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit Njazi Rexha ai u deklarua se nuk e ndien vetën fajtor për veprën që i vihet në barrë.

Sipas akuzës Braha në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në KRU në Mitrovicë, në gusht 2014 ka tejkaluar kompetencat e tij duke urdhëruar Ferki Behxhetin – shef i mekanizmit, Fahredin Hoti – Vozitës dhe Nexhmedin Berishën – ekskavatorist, për blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit në vlerë prej 1.784,00 euro, në D.Z.T “ Merovci në fshatin Dobërlluk.

Këtë në akuzë thuhet se ai e ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, sipas të cilit për çdo punë, shërbim apo furnizim i cili tejkalon vlerën mbi 100 euro, duhet të kaloi përmes procedurave të Prokurimit.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Kurse në pikën dy të akuzës thuhet se për Vehbi Brahën ekziston dyshimi i arsyeshëm se në korrik të vitit 2014 po ashtu si zyrtar i lartë financiar në KRU Mitrovicë ka tejkaluar kompetencat e tij.

Këtë sipas akuzës ai e ka bërë duke lidhur për shërbime të telefonisë mobile me IPKO-në me ç’rast kishte bërë dorëzimin e 206 telefonave për zyrtarët e kësaj kompanie, pa kaluar në procedurën e prokurimit.

Sipas akuzës vlera totale e telefonave që ishin dorëzuar më marrëveshjen e arritur për tre vite, arrinte vlerën 6102 euro.

Me këtë veprim kishte kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa në gjykatë i akuzuari ka shtuar se telefonat mobilë së bashku me numrat që janë marr nga kompania “IPKO” i janë dorëzuar drejtorit teknik.

Mirëpo, sipas tij kjo paramarrveshje siç e ka quajtur ai është ndërprerë dhe të gjithë telefonat prapë ishin kthyer të kompania IPKO.

Ndërsa me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në këtë gjykatë, i pandehuri Vehbi Braha e ka mohuar fajësinë për këtë vepër.

Pas deklarimit gjykatësi Burim Ademi e ka njoftuar të pandehurin se në afat prej 30 ditëve mund të paraqes kundërshtimet e tij lidhur me akuzën.

Kurse seanca e dytë e shqyrtimit nuk do të mbahet.