Një logo e sugjeruar për organizatën fantazmë | Foto: Përpunim i simboleve të ndryshme me licensë të hapur përdorimi

Vazhdon sot gjykimi në rastin “Harausham”

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli, të akuzuar për pjesëmarrje në grup terrorist, do të dalin përsëri para Gjykatës Themelore të Prishtinës gjatë ditës së sotme për t’u përballur me aktakuzën.

Në një rast që në media u bë i njohur si rasti “Harausham”, për shkak të gabimit të Prokurorisë që në aktakuzë kishin pretendime se të akuzuarit i ishin bashkuar një organizate për të cilin BIRN zbuloi se në fakt nuk ekzistonte, Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli do të ballafaqohen me akuzat që rëndojnë kundër tyre.

Termi “Harausham”, që i referohet një organizate jo-ekzistuese terroriste, është larguar nga një aktakuzë.

Gati katër vjet i janë dashur Prokurorisë Speciale të Kosovës që të përmirësojë gabimin në aktakuzën që i ngarkon dy persona për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Një aktakuzë e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Arben Livorekën dhe Nexhat Behlulin se kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë përkrah organizatave terroriste.

Behluli dhe Livoreka kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj burg, ndërsa kishin tërhequr pranimin e fajësisë në Gjykatën e Apelit, gjykatë kjo që e riktheu në rigjykim këtë rast, pasi evidentoi një varg shkeljesh.

KALLXO.com kishte raportuar se organizata terroriste për të cilën prokuroria pretendonte se quhet “Harausham”, në fakt nuk ekzistonte.

Duke u interesuar lidhur me ekzistencën e kësaj organizate KALLXO.com dërgoi pyetje në disa institucione relevante për të ditur më shumë për organizatën “Harausham”, por u përball me heshtjen e këtyre institucioneve.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 13 korrik të këtij viti, prokurori i ri i kësaj çështje, Elez Blakaj, precizoi aktakuzën.

“Në çdo vend në aktakuzë ku është e shkruar ‘Harausham”, kërkojmë që të përmirësohet në ‘Ahrahal Sham’”, kishte precizuar Blakaj.

Blakaj e arsyetoi këtë propozim me faktin se emri “Harausham”, është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.

Kallxo.com – Raporto Korrupsionin!