‘Truku i Ngathtë’ i Kushtetueses për Asociacionin

Tri vjet pas nënshkrimit historik të “Marrëveshjes së Parë mbi Parimet” nga ish- kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, vetëm katër nga gjashtëmbëdhjetë marrëveshjet janë zbatuar, ndërsa themelimi i Bashkësisë/Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe paraqet sfidë për stabilitetin politik të Kosovës, sundimin e ligjit, dhe për kredibilitetin e Bashkimit Evropian, thotë një raport nga BIG DEAL, një nismë qytetare  e mbikëqyrjes të negociatave Kosovë-Serbi.

“Duke e bërë dialogun prioritetin kryesor, BE dhe SHBA kanë toleruar vazhdimisht dobësimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Por dëmi i shkaktuar në këto dyja si pasojë ka rrezikuar të shpërbëjë progresin e arritur në dialog deri tani,” thotë Bodo Weber nga Këshilli për Politika të Demokratizimit, autori i raportit. “Prandaj SHBA dhe BE duhet të shfaqin angazhim të plotë dhe respect për themelet kushtetuese dhe ligjore të shtetit të Kosovës në kornizën e dialogut Serbi-Kosovë.”

Raporti i quajtur “Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi” shqyrton rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve kryesore menjëherë mbas vendimit të dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e përgjithshme të Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

BigDeal_Report_2016
Shkarko raportin

Raporti bën thirrje që Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut të “angazhojë ekspertë ndërkombëtarë në temat e të drejtës kushtetuese, format e diskriminimit pozitiv në politika multi-etnike dhe në vetë-qeverisje lokale që të marrin pjesë në procesin e përpilimit të statutit të Bashkësisë/Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.”

Drejtorja e BIRN Kosova Jeta Xharra, tha se diplomatët e BE-së dhe SHBA-së duhet të dërgojnë sinjale të qarta te Prishtina dhe Beogradi që zbatimi i marrëveshjeve tjera është po aq i rëndësishëm sa ajo për Bashkësinë/Asociacionin.

“Edhe pse është deklaruar nga anëtarët e qeverisë serbe që prioriteti i tyre kryesor është krijimi i Bashkësisë/Asociacionit, kjo nuk duhet të jetë kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera që janë nënshkruar shumë më parë se marrëveshja e 19 prill 2013,” tha Xharra. “Tempoja e drejtë e zbatimit duhet të shtyjë së marrëveshjet të zbatohen kronologjikisht: ato që janë nënshkruar të parat duhet të zbatohen të parat.”

Panelistët gjithashtu diskutuan ngecjen e tanishme në zbatimin e marrëveshjeve në përgjithësi.

“Është fatkeqe që, ngjashëm me gjashtë muaj më parë kur prezantuam raportin tonë të monitorimit, vetëm katër nga 16 marrëveshjet e arritura janë zbatuar plotësisht,” tha Faik Ispahiu, Drejtor i Internews Kosova. “Pesë vjet pasi që filluan dialogun, Kosova dhe Serbia refuzojnë të njohin diplomat e njëra- tjetrës. Draft-ligji për kadastrën është bllokuar dhe qe dy vjet nuk ka asnjë progres. Kosova nuk ka një kod telefonik përveç faktit që jo vetëm një, por dy marrëveshje janë nënshkruar për këtë temë.”

BIG DEAL është një platformë e mbikëqyrjes qytetare të dialogut Kosovë-Serbi e udhëhequr nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe BIRN Serbia. Anëtarë të BIG DEAL janë dhe Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC) në Mitrovicën Veriore, Qendra për Studime Euro-Atlantike me seli në Beograd dhe Këshilli për Politika të Demokratizimit me seli në Berlin.

“Nisma e jonë e mbikëqyrjes qytetare ka sjellë progres,” tha Tanja Maksic, koordinatore e programit në BIRN Serbia.

“Ne si BIG DEAL kemi kërkuar që delegacionet e Serbisë dhe Kosovës të ulin kostot e udhëtimeve sepse po i kushtonte njerëzve të kalonin kufirin nga një fqinj në tjetrin – sot, ne jemi të lumtur që kjo kosto është ulur ndjeshëm,” tha Maksic.

“Ne jemi gjithashtu krenarë që pasi kemi ngritur shqetësim të vazhdueshëm për transparencën e procesit, Bashkimi Evropian ka publikuar disa nga marrëveshjet në uebsite-in e tyre dhe që qeveria e Serbisë ka filluar prodhimin e raporteve për statusin e zbatimit të marrëveshjeve.”

BIG DEAL mbështetet nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Fondacioni Rockefeller Brothers. Ky është raporti i tretë BIG DEAL në seri.