Ilustrim: Flickr

Trekëndëshi i Kallashnikovëve Kosovë- Çeki- Nju Jork

Në parkingun e veturave të një marketi të Klinës, masat e fshehta të Policisë së Kosovës, rezultuan në kapjen në flagrancë të Artan Kelmendit, Miftar Dobraj, Danjell Prendrecaj dhe Dren Mulla.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com shihet se përpos arrestimit të katër personave në këtë vend u zbuluan edhe 14 armë automatike, një armë anti tank,  një veturë BMW xx5, Audi A3 dhe tre telefona celulare të gjithë të sekuestruar tani.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të dyshuarit si grup kriminal me disa persona në SHBA, për qëllime të përfitimit të kundërligjshëm, duke bërë tregti me armë dhe narkotik i pandehuri Albert Veliu që ndodhet në Amerikë ka organizuar shitblerjen dhe trafikimin e narkotikëve dhe armëve në Kosovë përmes të pandehurve, Artan Kelmendi, Miftar Dobraj, Danjell Prendrecaj dhe Dren Mulla për blerjen e një sasie të madhe të armëve automatike AK47.

Këto armë automatike sipas prokurorisë do të përdoreshin nga njerëzit për mbikëqyrjen e rrjetit të trafikantëve të drogës ashtu që sasia e parë prej 6 armëve është dërguar më 18 qershor të këtij viti.

Për të kapur këtë grup në flagrancë Policia e Kosovës, më datë 27 qershor 2016 organizoi blerjen e simuluar ku në parkingun e një marketi në Klinë u arrestuan Artan Kelmendi, Miftar Dobraj, Danjell Prendrecaj dhe Dren.

Të gjitha armët që u sekuestruan në këtë operacion sipas prokurorisë, kishin destinacion shtetet e Evropës dhe Amerikës.

Të pandehurit kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake ndërsa KALLXO.com do të ju mbaj të informuar për vendimin që është caktuar ndaj këtyre personave.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në një komunikatë të lëshuar të mërkurën, se Albert Veliu dhe Anthony Noterille ishte planifikuar të paraqiteshin dje në gjykatën federale në Bruklin për t’u përgjigjur në akuzat që lidhen me zhvatje, pastrim parash dhe trafikim të drogës të cilat rezultuan me shitjen e disa AK-47 dhe një ‘zolë’ anti-tank M80 të pajisur me një raketë 64 milimetra. Të dyshuarit tjerë Dilber Kukiq, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj, Agim Rugova dhe Alban Veliu, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, gjithashtu akuzohen në lidhje me një skemë të pastrimit të parave.