Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq. Foto: Mladen Obradovic/Beta

Tomislav Nikoliq 'i Bindur' se do të Rizgjedhet

Në një intervistë me tabloidin serb Kurir, të martën, Presidenti Tomislav Nikoliq tha se nuk ka asnjë arsye që partia në pushtet të mos e mbështesë atë si kandidatin e tyre në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat pritet të mbahen jo më vonë se në prill të këtij viti.

“Unë kurrë nuk e kam kritikuar politikën e partisë, unë e kam themeluar atë dhe tani besoj se është partia më e fortë”, tha Nikoliq.

Megjithatë, një anëtar i kryesisë së Partisë Progresiste, Zorana Mihajloviq, ka thënë për Kurir se ajo nuk do të mbështesë Nikoliqin dhe se kryeministri aktual Aleksandar Vuçiq është i vetmi që mund të fitojë garën presidenciale.

Nikoliq, mandati i të cilit përfundon këtë vit, ishte kandidati i Partisë Progresiste në vitin 2012, kur mundi Boris Tadiqin e Partisë Demokratike në balotazh.

Katër vjet më vonë, Nikoliq është përsëri duke u mbështetur në përkrahjen e progresistëve.

Megjithatë, kreu i partisë, Vuçiq, nuk ka vendosur ende që ta mbështesë dhe ka thënë se do ta bëjë të ditur vendimin e tij në mes të shkurtit.

Disa analistë thonë se opsionet janë relativisht të thjeshta për progresistët- nëse Vuçiq është kandidati i tyre ai me siguri do të fitojë, ndoshta edhe në raundin e parë.

Shanset e Nikoliqit janë më pak të sigurta, sipas analistëve, edhe pse ai ruan një avantazh mbi kandidatët e opozitës.

Politikanët e tjerë të cilët kanë shpallur kandidaturat e tyre për president deri më tani janë lider nacionalist të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, Avokati i Popullit Sasha Jankoviq, ish-ministri i jashtëm dhe ish- presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Vuk Jeremiq, shefi i partisë djathtiste Dveri, Boshko Obradoviq, ish-anëtari i Partia Progresiste Sasha Mirkoviq, i cili po kandidon si i pavarur, Miroslav Paroviq nga partia e krahut të djathtë ‘Treca Srbija’ dhe disa kandidatë të tjerë.

Në përgjigje të intervistës së Nikoliqit, një zyrtar i Partisë Progresiste, Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, tha se publiku e dinte se cili politikan është më i besuar brenda partisë duke thënë se Vuçiqi, jo Nikoliqi, është ai i cili mund të llogarisë në 100 përqind mbështetje.

“Në çdo rast, ne do të presim për një marrëveshje midis presidentit tonë [parti] Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav Nikoliq”, ka thënë Stefanoviq për agjencinë e lajmeve Tanjug.