Thaçi kërkon rol aktiv të kancelares Merkel në dialogun me Serbinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar një në dialogun  rol aktiv, ndihmues, të kancelares Angela Merkel në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Në një konferencë të përbashkët për media me shefen e Qeverisë gjermane, presidenti Thaçi ka falenderuar kancelaren Merkel por edhe gjithë popullin gjerman për ndihmën e dhënë për Kosovën në procesin e shtetndërtimit.

Kosova, tha Thaçi, është e interesuar për ardhjen e investitorëve gjermanë dhe për rritjen e bashkëpunimit tregtar.

Në kontekstin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Kosovës tha se është jetike që Kosova dhe Serbia t’I normalizojnë raportet ndërshtetërore, dhe në këtë kontekst t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Prandaj, porosia ime si president i Kosovës është se ne jemi gati të hapim këtë kapitull, për të bërë hapin vendimtar në dialogun me Serbinë për të arritur marrëveshje ligjësisht obligative për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“E di që faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë fare e lehtë as për Kosovën as për Serbinë“, tha ai.

Mirëpo nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara përmos dialogut e marrëveshjes, shtoi presidenti.

“Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, sepse vetëm kjo mundëson heqjen e të gjitha pengesave të anëtarësimit të dy vendeve në BE”, tha Thaçi.

Unë mendoj se në këtë proces, Bashkimi Europian duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare.

“Mirëpo, unë e mirëpres një rol aktiv, ndihmues, tuajin kancelare, sepse ju gëzoni respektin dhe besimin e plotë edhe në Kosovë edhe në Serbi dhe jeni shpresa e vetme për Ballkanin Perëndimor që të lëvizim drejt perspektivës europiane”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, nikoqirja e takimit, kancelarja Angela Merkel tha se për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së ka ende sfida.

Sipas saj, Kosova ka 10 vjet që është shtet i pavarur dhe prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës është arritur shumë.

“Janë më shumë se 100 shtete që e kanë njohur Kosovën por kemi ende shumë probleme të pazgjidhura. Kemi edhe shumë sfida para nesh”, tha Merkel.

Sfidat që na presin sipas Merkel janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe numri i lartë i papunsisë.

“Temë qendrore lidhur me përafrimin drejt BE janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Është temë qendrore, është temë jo aq e thjeshtë por ka pasur edhe zhviillime pozitive në këtë drejtim”, tha Merkel.

Sipas saj, marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.