Tenderi 1.1 Milionësh i Ministrisë së Shëndetësisë në Gjykatë

Prokuroria pretendon se shefja e barnatores qendrore duke qenë edhe kryesuese e  Grupit Punues për Ndryshimin dhe Plotësimin e Listës me Preparate Mjekësore, ka mbajtur takime ku  barnat me të lira janë zëvendësuar me barëra me të shtrenjta.

“ E dyshuara në mënyrë të pajustifikueshme ka hequr nga lista esenciale  barnat ‘ondansetron’ dhe ‘granisteron’ të cilat kanë çmim shumë më të vogël dhe të njëjtat i ka zëvendësuar me produktin tjetër ‘palonosetron’ që në treg kishte çmimin 77.99 euro,” thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorisë, blerja e këtij medikamenti shumëfish më të shtrenjtë do t’i kushtonte buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë 1.154.720 euro e që është 1/3 e buxhetit të ndarë për 45 medikamente të tjerë.

Prokuroria pretendon se ndryshimi i listës kishte ndodhur për shkak të miqësive që Gjonbalaj kishte me Shqipe Gashin importuesen e autorizuar të kompanisë “Global Pharm”. Kontrata në fjalë ishte anuluar për shkak të çmimit të papërballueshëm për Ministrinë e Shëndetësisë.

Megjithë pretendimet e prokurorisë,  Enkelejda Gjonbalaj vazhdon të pretendojë pafajësinë. Ajo para gjykatës mbrojti tezën se  vetëm ka rekomanduar dhe propozuar që produktet në fjalë duhet të ishin në listën esenciale.  Për ta mbështetur tezën e saj, Gjobalaj kërkoj që në gjykatë të thirret si dëshmitar  prof.dr. Shaip Krasniqi farmakolog klinik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë,  me datë 30.09.2014 ka ngritur aktakuzë  ndaj Enkelejda Gjonbalajt. Për të dëshmuar fajësinë e saj prokuroria ka planifikuar të thërrasë tetë dëshmitarë një pjesë e të cilëve do dëshmojnë në seancën e 6 prillit.

Aktakuza 7 faqëshe e prokurorisë është kundërshtuar nga avokati Basri Jupoli.

“Vepra penale për të cilën ajo është ngarkuar nuk është kryer, sepse nuk janë manifestuar elementet e kryerjes së veprës penale, mungon dashja, mungon shkaktimi i dëmit tjetrit, apo autoritetit tjetër, apo personit tjetër, mungon çfarëdo lidhje kriminale që të mund të cilësohet në atë kuptim që kjo e ka shpërdoruar,” tha Jupolli.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të pauzës së gjykatës.