Telekomi do të paguajë 10 mijë euro gjobë

Ndërmarrja publike që po kalon nëpër probleme të mëdha financiare ka marrë në zotim pagesën edhe një borxhi të ri prej 10 mijë eurosh.
Këto para, Telekomi i Kosovës ‘Vala’ do të ja paguaj buxhetit të shtetit në kuadër të gjobës që i ka shqiptuar Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP).

 

Telekomi së bashku me të gjithë operatorët e tjerë telefonikë u gjobit për shkak të mosimplementimit të kodit shtetëror telefonik +383.

Për të arritur këtë zbatim ‘Vala-s’ i kishte mbetur edhe largimi nga përdorimi i kodit të shtetit të Monakosd që e kishte përdorur deri më tani, +377.
Gjoba për këtë çështje kishte hyrë në zbatim më 15 janar të këtij viti dhe parashihej të jetë mujore.

Në ndërkohë, më 13 shkurt , Telekomi i Kosovës ‘Vala’ përfundimisht e ka hequr nga përdorimi kodin telefonik +377.

Megjithë zhvillimin e fundit, ‘Vala’ duhet të paguajë gjobën e parë mujore për këtë vonesë.

Kreshnik Gashi, Drejtor i ARKEP-it tha për KALLXO.com se ky operator ende nuk e ka bërë pagesën mirëpo e ka marrë zotimin për pagesë së bashku me borxhet e tjera që i ka ndaj ARKEP-it.

“Gjoba për muajin e parë është dërguar fatura. Ata e kanë marrë si obligim, janë në disa procese të riprogramimit të borxheve sepse kanë edhe disa borxhe të tjera. Do të thotë ata e kanë pranuar si gjobë por pagesën direkte nuk e kanë kryer akoma për shkak të problemeve financiare nëpër të cilat janë duke kaluar”, tha Gashi.

“Për muajin e dytë nuk ka marrë gjobë për shkak  se me 15 shkurt e kanë mbyllë dhe e kanë hequr  kodin 377”, shtoi ai.

Nga data 15 janar, ARKEP ka filluar gjobat për ‘Vala-n’, ‘IPKO-n’ dhe operatorin e tretë të përkohshëm ‘MTS DOO’.
Të tre këta janë gjobitur për shkak të moszbatimit të plotë të kodit shtetëror telefonik.

Gashi kishte paralajmëruar se nëse moszbatimi vazhdon edhe pas tre muajve, do të rishikohet gjoba e caktuar tani dhe ka mundësi që gjobat e tjera të jenë mbi 10 mijë euro.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të viti 2018 por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.
ARKEP megjithatë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe dha ultimatum për 15 janarin e vitit 2019.

Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.
+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të 2018-tës.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

Sfidat e 383-shit

 

https://kallxo.com/fillojne-gjobat-per-vala-dhe-ipko/

https://kallxo.com/nga-neser-ipko-dhe-vala-rrezikojne-te-gjobiten/