Kodi telefonik i Kosovës - Foto: REL

Operatori i përkohshëm telefonik fillon përdorimin e 383-shit

Operatori i përkohshëm telefoni në Kosovë, MTS. DOO ka filluar implementimin e kodit shtetëror telefonik +383.

Kështu ka konkluduar Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), pas testimeve në teren.

Operatori i tretë telefonik në Kosovë që u licensua si pjesë e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës ishte gjobitur disa herë për mos implementimin e kësaj marrëveshje që parasheh përdorimin e kodit +383 për thirrje ndërkombëtare.

ARKEP për KALLXO.com ka thënë se testimin e fundit për përdorimin  e këtij kodi e kishte bërë në maj të këtij viti.

“Bazuar në rezultatet e testimeve të kryera me dt.14/05/2019 nga shteti fqinjë Maqedonia  Veriore është konstatuar se ka qenë e mundur të terminohen thirrjet në drejtim të operatorit mts D.O.O  vetëm në kodin +383 në rrjetin mobil në serinë e numrave 0471x. Thirrjet kanë qenë të mundshme të realizohen përmes të gjithë operatorëve të autorizuar për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile nga Maqedonine Veriore”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

Sipas ARKEP ky operator po i përmbahet limitit të operimit që e ka në Kosovë.

“Pikat e transmetimit të valëve elektromagnetike për funksionimi të limituar të këtij operatori për telefoni mobile janë përcaktuar saktë me këto dokumente të përmendura mësipër. Në të gjitha matjet që ka bërë ARKEP deri më tani, me qëllim të radiomonitorimit ky operator është duke i u përmbajtur obligimit për shfrytëzim të resurseve frekuencore në lokacionet e përcaktuara me marrëveshje. Përhapja e valëve elektromangnetike varet nga konfigurimi i terrenit dhe nuk mund të limitohet, një përhapje e tillë mund të shkoj deri në disa dhjetra kilometra, por e ripërsërisim se ky operator është i limituar në numër të caktuar të pikave të transmetimit dhe është duke i u përmbajtur limiteve”, thotë ARKEP.

Të pyetur se a ka larguar përfundimisht MTS DOO nga pëdorimi kodin serb +381 ata kanë thënë se “në matjet e bëra me datën 14.5 2019 ka rezultuar se vetëm kodi 383 është funksional në këtë drejtim.

“Megjithatë ne kemi bërë sërish matje dhe jemi duke analizuar funksionimin e përgjithshëm me kodin 383, të të gjithë operatorëve si edhe të këtij operatori””, shtohet në përgjigje.

Të gjithë operatorët telefonikë në Kosovë e kanë pasur afatin e fundit 15 janarin e këtij viti që të përfundojnë implementimin e 383-shit,  gjegjësisht largimin e kodeve të huaja të cilat i kanë përdorur deri më tani.

Ata që nuk kanë arritur këtë afat, janë gjobitur me nga 10 mijë euro në muaj nga ARKEP-i, për çdo muaj që nuk është bërë implementimi.

Sfidat e kodit telefonik të Kosovës

 Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se operatori telefonik MTS. DOO  është me pronësi serbe.

Licencë të përkohshme për një telefoni mobile serbe, transfer i pronave të Telekomit të Kosovës tek operatori serb, janë vetëm disa nga koncesionet që i ka bërë Kosova për të arritur deri te kodi shtetëror telefonik.

Marrja e kodit telefonik konsiderohet si fitore nga Qeveria e Kosovës, sipas të cilës konfirmon shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Fitoren e kishte shpallur edhe Qeveria e Republikës së Serbisë, e cila mburret se i ka ruajtur pronat e Telekomit në këmbim të një “kodi territorial”.

Në Kosovë kanë operuar tre operatorë serbë në pjesë të caktuara të Kosovës. Pala kosovare pati thënë se në bazë të Marrëveshjes dy operatorë do të shuajnë aktivitetin e tyre.

Kurse, operatori MTS, i cili është funksional, do të vazhdojë operimin por tash si operator i licencuar nga institucionet e Kosovës

Këtij operatori më pas iu ndanë në përdorim 60 mijë numra me funksion në vetëm pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.

Në një hulumtim të Gazeta Jeta në Kosovë është zbuluar se kompania “MTS d.o.o” është regjistruar si kompani në tetor të vitit 2015.

Të gjithë operatorët telefonik në Kosovë e kanë pasur ultimatum që kodin +383 ta implementojnë tërësisht më 15 janar të vitit 2019.

Në vitin 2016, Gashi kishte thënë se thirrjet telefonike nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas që do të bëhen nga operatori serb (MTS d.o.o) do të llogariten si thirrje lokale, deri sa të hiqen të gjitha kodet që aktualisht përdoren në Kosovë.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të  viti 2018, por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonik, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

ARKEP megjithatë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe dha ultimatum për 15 janarin e vitit 2019.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e Telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundonte në muajin qershor të 2018-tës

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonik në mënyrë që ata t`i hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

 

Sfidat e 383-shit