Ilustrim

Operatori i përkohshëm telefonik në Kosovë nuk implementon +383-shin

Operatori i tretë telefonik në Kosovë që u licensua si pjesë e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës, nuk po e implementon këtë marrëveshje që parasheh përdorimin e kodit +383 për thirrje ndërkombëtare.

Operatori ‘MTS’ d.o.o për të cilin Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se është me pronësi serbe, ka marrë gjobë në shumë prej 20 mijë eurosh nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare.

Licencë të përkohshme për një telefoni mobile serbe, transfer i pronave të Telekomit të Kosovës tek operatori serb, janë vetëm disa nga koncesionet që i ka bërë Kosova për të arritur deri te kodi shtetëror telefonik.

Marrja e kodit telefonik konsiderohet si fitore nga Qeveria e Kosovës, sipas të cilës konfirmon shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Fitoren e ka shpallur edhe Qeveria e Republikës së Serbisë, e cila mburret se i ka ruajtur pronat e Telekomit në këmbim të një “kodi territorial”.

Në Kosovë kanë operuar tre operatorë serbë në pjesë të caktuara të Kosovës. Pala kosovare pati thënë se në bazë të Marrëveshjes dy operatorë do të shuajnë aktivitetin e tyre.

Kurse, operatori MTS, i cili është funksional, do të vazhdojë operimin por tash si operator i licencuar nga institucionet e Kosovës.

Këtij operatori më pas iu ndanë në përdorim 60 mijë numra me funksion në vetëm pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.

Në një hulumtim të Gazeta Jeta në Kosovë është zbuluar se kompania “MTS d.o.o” është regjistruar si kompani në tetor të vitit 2015.

Të gjithë operatorët telefonik në Kosovë e kanë pasur ultimatum që kodin +383 ta implementojnë tërësisht më 15 janar të vitit 2019.

Megjithatë për muajin e parë pas këtij ultimatumi, asnjëri prej këtyre operatorëve nuk e ka kryer këtë zbatim.

Për operatorët ‘Vala’ dhe ‘IPKO’ është kërkuar heqja nga përdorimi i kodeve të huaja shtetëore të Monakos dhe përkatësisht Sllovenisë.

Ndërkaq sipas ARKEP-it, operatori i tretë nuk e kishte bërë as implementimin fillestar që do të thotë mundësia e thirrjeve ndërkombëtare në kodin +383.

Kreshnik Gashi, Drejtor i ARKEP-it tha për GJNK se deklarativisht kjo kompani kishte bërë implementimin mirëpo me testimet në terren ky autoritet kishte gjetur se në fakt implementimi nuk kishte ndodhur.

“Ne kemi gjobitur edhe operatorin e tretë. Kjo kompani ka thënë se e ka implementuar kodin 383, mirëpo me testimet tona është dalë që nuk është duke funksionuar në thirrjet ndërkombëtare dhe atë e kemi dënuar për dy muajt e kaluar gjithashtu. Ata kanë thënë se do të paguajnë brenda afatit të caktuar. Kanë premtuar që do ta paguajnë”, tha Gashi.

Në këtë mënyrë ky operator do të paguajë gjobën prej 10 mijë eurosh në muaj dhe deri më tani asaj i janë faturuar 20 mijë euro gjobë.

Në vitin 2016, Gashi kishte thënë se thirrjet telefonike nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas që do të bëhen nga operatori serb (MTS d.o.o) do të llogariten si thirrje lokale, deri sa të hiqen të gjitha kodet që aktualisht përdoren në Kosovë.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të  viti 2018, por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonik, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

ARKEP megjithatë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe dha ultimatum për 15 janarin e vitit 2019.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e Telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundonte në muajin qershor të 2018-tës

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonik në mënyrë që ata t`i hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

Sfidat e 383-shit

.