+383 Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

‘IPKO’ me 20 mijë euro gjobë për moslargimin e kodit +386

Operatori telefonik IPKO është gjobitur me 20 mijë euro gjobë dhe mund të gjobitet edhe më tej nëse nuk largon në tërësi kodin +386 nga përdorimi.

Telekomi së bashku me të gjithë operatorët e tjerë telefonikë u gjobit nga Autoriteti Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare për shkak të mosimplementimit të plotë të kodit shtetëror telefonik +383.

Për të arritur këtë zbatim ‘IPKO-s’ i kishte mbetur edhe largimi nga përdorimi i kodit të shtetit të Sllovenisë që e kishte përdorur deri më tani, +386.

Gjoba për këtë çështje kishte hyrë në zbatim më 15 janar të këtij viti dhe parashihet të jetë mujore.

Sipas IPKO-s, ky operator nuk ka pasur problem me implementimin e kodit shtetëror +383 mirëpo nuk e kanë hequr në tërësi nga përdorimi kodin +386.

“IPKO, e ka filluar përdorimin e kodit të ri qysh në vitin e kaluar, duke migruar tërësisht në 383…Përderisa vetëm thirrjet ndërkombëtare në hyrje klientët mund ti pranojnë në të dyja kodet paralelisht: 383 edhe në 386.Mbyllja e kodit 386 për thirrjet ndërkombëtare hyrëse në këtë moment do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve tanë dhe si rrjedhojë nuk do të mund të lidheshin me më të dashurit e tyre që jetojnë jashtë vendit”, tha për KALLXO.co Edona Zogu, zëdhënëse e kësaj kompanie.

Deri më tani, kësaj kompanie i janë faturuar 2 gjoba në vlera prej nga 10 mijë eurosh.

Zogu ka konfirmuar se kanë pranuar gjobat nga ARKEP.

“IPKO ka pranuar dy fatura deri tani nga ana e ARKEP, dhe të njëjtat do të trajtohen/procedohen sipas afateve në këto fatura”, tha ajo.

Sipas Drejtorit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, IPKO ka paguar gjobën e parë mujore.

“IPKO ka marrë gjobë edhe për muajin e dytë. IPKO e ka paguar muajin e parë e për muajin e dytë e ka marrë gjobën e nuk e di nëse e kanë paguar hala por e kanë 30 ditë afat për pagesën e muajit të dytë”, tha Gashi.

Nga data 15 janar, ARKEP ka filluar gjobat për ‘Vala-n’, ‘IPKO-n’ dhe operatorin e tretë të përkohshëm ‘MTS d.o.o’. Të tre këta janë gjobitur për shkak të moszbatimit të plotë të kodit shtetëror telefonik.

Gashi kishte paralajmëruar se nëse moszbatimi vazhdon edhe pas tre muajve, do të rishikohet gjoba e caktuar tani dhe ka mundësi që gjobat e tjera të jenë mbi 10 mijë euro.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të viti 2018 por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386. ARKEP megjithatë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe dha ultimatum për 15 janarin e vitit 2019.

Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të 2018-tës.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

Sfidat e 383-shit

https://kallxo.com/telekomi-do-te-paguaje-10-mije-euro-gjobe/