Foto: REL

Telekomi do të vazhdojë të paguajë 125 mijë euro në muaj derisa ta implementojë tërësisht kodin +383

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka gjetur se Telekomi i Kosovës nuk kishte arritur të implementojë plotësisht kodin shtetëror mobil +383 si pasojë e mos alokimit të mirë të mjeteve.

Si rezultat i kësaj, raporti citon se kompania për shërbimet e marra nga Monako Telekom për vitin 2019 dhe 2020 kishte paguar shumën prej 3,960,103 euro, si dhe kishte paguar masë ndëshkimore 55,000 euro në ARKEP.

Për më tepër, deri në implementimin e kodit shtetëror do të vazhdoj të paguaj kosto mujore 125,000 euro.

“Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për implementimin e kodit shtetëror (+383) të caktuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), ka marrë vendim që më së voni deri më 01 Qershor 2018 duhet të implementohet në tërësi kodit shtetërorë gjeografik +383 dhe të ndërpriten të gjitha kodet tjera (+377, +381 dhe +386), të cilat përdoren nga rrjetet e telefonisë fikse dhe mobile si dhe deri më 31 Dhjetor 2018 duhet të përfundoj në tërësi implementimi i kodit shtetëror mobil”, thuhet në raportin e Telekomit për vitin 2020.

ZKA ka gjetur se shkak i mos përmbushjes së obligimeve rregullative për implementimin e plotë të kodit shtetëror +383 ishte zgjatja e negociatave duke përfshirë kontratën e mirëmbajtjes si parakusht për implementim duke rritur koston, mos alokimi i mirë i mjeteve si dhe gjendja financiare e krijuar më vonë në kompani.

“Departamenti Teknik në janar të vitit 2017 kishte filluar përgatitjet teknike për realizimin e kodit +383, dhe ka arritur ta realizoj pjesërisht. Mirëpo, pjesa e operimeve të brendshme teknike që realizohet nga prodhuesit e pajisjeve ende nuk është kryer. Rrjeti mobil i kompanisë është i ndërtuar me pajisjet NOKIA dhe ndryshimet në to duhet të bëhen ekskluzivisht nga ky operator/prodhues. Meqenëse TK-ja është e varur nga ky prodhues, përveç konfigurimeve në pajisje, prodhuesi/operatori e kishte kushtëzuar edhe në kontrata shtesë për mirëmbajtjen e infrastrukturës së TK-së, zëvendësim të disa elementeve të rrjetit dhe kishte caktuar një çmim shumë të lartë i cili ishte i papërballueshëm për kompaninë”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Kompania për më shumë se tri vite radhazi ka negociuar uljen e çmimit deri në arritjen e një çmimi të favorshëm për dy palët. Përderisa negociatat kishin vazhduar, gjendja fillestare e infrastrukturës kishte ndryshuar pothuajse tërësisht dhe kërkoheshin investime në teknologji të re. Gjithashtu, edhe si rezultat i vështirësive financiare me të cilat është ballafaquar Telekomi i Kosovës, në vitin 2021 ishte anuluar tenderi për këtë çështje. Për më tepër, sipas zyrtarëve të kompanisë, nga momenti i nënshkrimit të kontratës me operatorin/prodhuesin NOKIA do të duhen së paku një vit për implementimin e kodit shtetëror”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mos implementimi i plotë i kodit shtetëror +383, sipas auditorit, ka ndikuar që edhe më tej kompania të shfrytëzoj kodin shtetërore të Monakos, të pasojnë masa ndëshkimore nga ARKEP-it dhe të mos përmbushen detyrimet rregullative të kompanisë.

Gjithashtu kanë rekomanduar bordin i drejtorëve të sigurojë që në afat sa më të shpejtë të bëjë implementimin e plotë të kodit shtetërorë të Kosovës.

Telekomi i Kosovës është duke pësuar gjoba mujore në vlerë prej 5 mijë eurosh nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Posta (ARKEP), për shkak se ende nuk ka arritur të bëjë zbatimin e plotë të kodit +383.

Kodi telefonik shtetëror iu nda Kosovës në fund të vitit 2016, ndërsa që në vitin 2019 ishte paraparë që të zbatohej plotësisht nga të gjithë operatorët vendorë.