Teatri Kombëtar i jep lamtumirën e fundit Bekim Lumit - FOTO

Me shfaqjen “Arturo Ui” të regjisorit tashmë të ndjerë, Bekim Lumit, atij iu dha lamtumira e fundit nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Në skenën e teatrit krahas trupës së aktorëve që po interpretonin shfaqjen, gjendej edhe arkivoli i Bekim Lumit.

Aktorja kosovare Gresa Pallaska, e cila hapi Akademinë Përkujtimore,  tha se regjisori Lumi nuk ka lënë asnjë skenar se si do të mund të dukej ceremonia e varrimit të tij.

“Dje u tha se regjisori Bekim Lumi para se të vdiste ka lanë një skenar për varrimin e tij. Por jo, nuk na ka lënë pasi ai na la këtë shfaqje të mrekullueshme dhe shumë të tilla. E gjithë biografia e tij është një testament artistik”, u shpreh Pallaska.

Ndërsa motra e regjisorit të ndjerë, Drita Lumi tha se vëllai i tij la shumë mesazhe artistike dhe politike.

“Kur e shohim tërë  këtë dhimbje dhe dashuri që po shfaqni për Bekimin, e kuptojmë se sa të lumnuem kemi qenë me të. Ju faleminderit aktorë qe shkëlqyet në lojën e tij filigran dhe që na u gjend pranë në momentet më të vështira. Bekimi përmes shfaqjeve të tij na la një lamtumirë artistike dhe na le mesazh politik për gjendjen në Kosovë. La porosinë e qartë qe ne të zgjohemi dhe të punojmë më shumë. Të kemi arsim të mirë e të mos sorollatemi dyerve të Evropës. Qofshi të nderuar përjetë. Qoftë i bekuar Bekimi jonë”, tha ajo.

Regjisori Bekim Lumi ndërroi jetë ditën e djeshme, pas një sëmundje të rëndë.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.