Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani dekoron post-mortem regjisorin Bekim Lumi me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar me Medaljen  Presidenciale të Meritave regjisorin e pedagogun e ndjerë Bekim Lumi.

Dekorimi i Bekim Lumit është bërë pesë vjet pas vdekjes së tij.

Në ceremoninë e dekorimit post-mortem të Bekim Lumit, presidentja e vendit ka thënë se regjisori Lumi shquhej për guximin dhe përkushtimin ndaj arteve dramatike, duke e vendosur teatrin kosovar në hartën kulturore evropiane.

“Krijimtaria e Bekimit ishte alternative dhe avangarde, me një lojë të pasur  estetike e skenike. Ai përfaqësoi në mënyrë dinjitoze teatrin e Kosovës nëpër teatrot evropiane, duke u shndërruar në emblemë të teatrit bashkëkohor të shtetit tonë. Na artësoi, siç preferonte të shprehej ai, ndërkaq ne sot po i shprehim  mirënjohje dhe e nderojmë figurën dhe krijimtarinë e tij”- ka theksuar presidentja Vjosa Osmani sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca.