Përkrahës të pavarësisë së Katalonisë - Foto: Rtv21

Spanja kërkon deri 25 vjet burg për ideatorët e pavarësisë së Katalonjës

Prokuroria e përgjithshme ka kërkuar shtatë deri në njëzet e pesë vite burg ndaj dymbëdhjetë udhëheqësve indipendentistë.

Një vit pas përpjekjes për shkëputjen e Katalonjës, prokuroria spanjolle kërkoi sot dënime të ashpra me burg ndaj liderëve indipendentistë, të cilët pritet të gjykohen së shpejti, duke konfirmuar akuzën e diskutueshme për ”rebelim” megjithëse e kundërshtuar nga ana e qeverisë.

Data e procesit gjyqësor nuk është caktuar ende, por nisja e saj pritet në fillim të vitit 2019.

Ish-presidenti katalanas, Carles Puigdemont, i cili është arratisur në Belgjikë për t’i shpëtuar ndjekjes penale, nuk është i përfshirë në këtë proces, gjykata spanjolle nuk do ta gjykojë “në mungesë”, shkruan ATSH.

Prokuroria e përgjithshme ka kërkuar shtatë deri në njëzet e pesë vite burg ndaj dymbëdhjetë udhëheqësve indipendentistë të akuzuar për “rebelim”, “përvetësim të fondeve publike” ose “mosbindje serioze”.