Mar Galceran, foto: Women's Agenda

Spanja zgjedh deputeten e parë me sindromën Down

Spanja ka zgjedhur deputeten e parë me sindromën Down. Mar Galceran u votua në asamblenë rajonale të Valencias, në lindje të vendit, raporton BBC.

Ajo mendohet të jetë personi i parë me këtë çrregullim gjenetik që hyn në një parlament rajonal ose kombëtar europian.

Emërimi i saj është quajtur “një hap i madh përpara” dhe “një shembull i përfshirjes reale”.

45-vjeçarja është marrë me politikë që kur ishte 18 vjeç, kur iu bashkua Partisë Popullore konservatore të Spanjës.

Në një deklarim për the Guardian, Galceran tha se dëshiron të shihet si një person, dhe jo për situatën e saj.

“Shoqëria ka filluar të shohë se njerëzit me sindromën Down kanë shumë për të kontribuar.”

Emërimi i saj është mirëpritur nga kolegë politikanë dhe aktivistë.

Carlos Mazon, Presidenti i Qeverisë Rajonale të Valencias shkroi në rrjetet sociale: “Lajm i madh për politikën, tejkalimi i barrierave”.

Derisa,  Agustin Matia Amor nga Down Espana, organizatë e sindromës Down në Spanjë tha: “Ne nuk kemi dëgjuar për askënd tjetër. Është një hap i madh përpara dhe një shembull i përfshirjes reale”

Sindroma Down është çrregullim gjenetik  – diçka me të cilën lind, dhe nuk është sëmundje apo dicka që mund të bartet.

Sindroma Down ndikon në aftësinë e një personi për të mësuar dhe shëndetin e tyre fizik – por niveli i ndikimit që ka në jetën e dikujt ndryshon nga personi në person.