Arkiv

Sot Vazhdon Gjykimi i të Akuzuarave për Njehsorët ‘Kohler’

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të vazhdojë gjykimi i të akuzuarve për njehsorët “Kohler”.

Afër një vit më parë katër të akuzuarit për keqpërdorim detyre dhe mashtrim të blerësve ishin deklaruar të pafajshëm.

Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj një vit më parë ishin paraqitur për herë të parë para gjykatës në rastin që lidhet me njehsorët e markës “Kohler”.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Blerim Sokoli por ai ka vdekur para disa muajsh dhe nuk është pjesë e gjykimit.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, të gjithë të akuzuarit ishin  deklaruar të pafajshëm lidhur me aktakuzat që u vihen në  barrë.

Aktakuza ndaj Blerim Sokolit, Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në të Blerim Sokoli akuzohet se “si drejtor i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me dashje tejkaloi kompetencat e veta duke u mundësuar palëve të interesit KEDS dhe ‘Kohler’ të përfitojnë dobi kundërligjshëm”.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli ngarkohet se  lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

“Të gjithë të akuzuarit dhe Ari Torosoglu dhe Ali Akkan me vetëdije të plotë kanë kontribuar për të vënë në qarkullim këtë tip të njehsorit dhe duke dështuar në funksionimin konform standardeve minimale të kërkuara kanë mashtruar blerësit në rastin konkret konsumatorët e Kosovës duke u shkaktuar dëm të konsiderueshëm material,” shpjegon aktakuza.

Ndaj këtij rasti, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë u përball me pyetjet e deputetëve se çka është ndërmarrë deri më tani që të ndriçohet ky rast.

Në maj të vitit 2015 në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për hetimet rreth njehsorëve të markës “Kohler”.

Jeta në Kosovë –Hetimet, KEDS-i dhe Arratia