FOTO: ANP "Adem Jashari"

SINKON: Kontrollimi nga Hungaria i hapësirës së lartë ajrore po u kushton në kohë dhe në bileta udhëtarëve

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON), ka thënë se sot janë bërë 5 vjet që kur Hungaria ka marrë në kontroll hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, ndërsa sipas tyre asnjë institucion nuk ka reaguar.

“Fillimisht kjo hapësirë iu ishte deleguar Hungarezëve, në një afat prej 5 viteve me mundësi rishikimi. Afati i fundit për të rishikuar këtë vendim ishte data 3 tetor 2018. Asgjë nuk ishte bërë nga institucionet tona për të rimarrë hapësirën e lartë ajrore të Kosovës edhe përkundër disa reagimeve nga ana jonë si sindikatë. Tani kjo hapësirë kontrollohet nga Hungaria për kohë të pakufizuar”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.

Sipas kësaj sindikate, të hyrat nga tarifat e aeroplanëve në këtë hapësirë, janë dhjetëfish më të larta se në hapësirën e ulët, ndërsa Kosova nuk gëzon asgjë nga këto të hyra.

“Ngarkesa tarifore e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës është më e larta në rajon, që rezulton në çmimin më të lartë të biletave. Trafikut ajror të Kosovës, nuk i është shkurtuar udha, por ai vazhdon të sillet rreth Serbisë dhe Malit të Zi, për të arritur në Kosovë, që rezulton në vonesa deri në 30 minuta”, vazhdon komunikata e SINKON.

SINKON gjithashtu thotë se kur ishte hapur hapësira e lartë ajrore e Kosovës, KFOR-i kishte premtuar shumë gjëra si pjesëmarrje, ngritje të kapaciteteve, përfshirje, por asnjëra nga këto nuk kishte ndodhur.