Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari

Kontrollorët e Trafikut Ajror kundërshtojnë përfshirjen në Ligjin për Paga

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) ka paralajmëruar veprime sindikale pas përfshirjes në Ligjin për Paga.

Përmes një komunikate për media, kjo shoqatë tha se përfshirja e 32 punëtorëve në Ligjin për Paga cenon pavarësinë e tyre financiare.

Tutje, siç thuhet në komunikate, aktualisht Kontrollorët e Trafikut Ajror nuk përbëjnë barrë për buxhetin e shtetit.

“Kjo situate nuk na ofron zgjidhje, si i tillë përfshirja në këtë ligj ka qenë dhe do të jetë i papranueshëm për kontrollorët e trafikut ajror” – thuhet në komunikatë.

Shoqata ka dhënë edhe një arsye se pse nuk dëshirojnë që të përshihen në Ligjin për Paga që ditë më parë është publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës.

“Kërkesa jonë për të mos u përfshirë në ligjin e pagave ka të bëjë me faktin se profesioni i kontrollit të trafikut ajror është i veçantë, nuk përkon dhe nuk përshtatet me asnjë nga profesionit e tjera, kërkon një trajtim të veçantë siç e gëzon në rajon dhe në vendet evropiane” – thuhet në komunikatë.

Shoqata u bën thirrje institucioneve të shtetit që të thirrën në praktikat evropiane për të rregulluar këtë sektor.

“Opinionit publik, udhëtarëve dhe kompanive ajrore, i kërkojmë ndjesë për situatat që mund të krijohen në të ardhmen e afërt, duke vendosur për masat sindikale që mund të merren, nëse shqetësimet dhe kërkesat tona nuk përfillën” – thuhet në fund të komunikatës.

Edhe në vitin 2019, Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) kishte kërkuar që mos të përfshihen në Ligjin për Paga. Madje ata patën nis edhe një grevë, por pas negociatave në atë kohë me Ministrinë e Infrastrukturës, kishin arrit një marrëveshje për të ndërpre atë.