Sigurd Hoellinger Flet për Votimin e Rektorit dhe Akuzat Ndaj Tij

Anëtari ndërkombëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Sigurd Hoellinger, thotë se ndryshimi i datës së takimit të këtij këshilli nga ana e UP-së ia pamundësoi të vijë në Prishtinë për të marrë pjesë në votimin e rektorit të ri.

Të premten e kaluar Këshilli Drejtues dështoi ta zgjedhë rektorin pas tre raundeve të votimit për shkak se asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme.

Katër kandidatë ishin në garë, por në raundin e fundit, Lul Raka dhe Naser Sahiti ndanë nga katër vota prej tetë anëtarëve të Këshillit që ishin të pranishëm.

Në votim mungonte profesori Hoellinger, i emëruar në KD të UP-së nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së, Zeqir Veselaj, një ditë pasi Këshilli Drejtues nuk mundi ta zgjedhë rektorin e ri, dështimin ia kreditoi anëtarit ndërkombëtar të këtij Këshilli, profesorit austriak Sigurd Hollinger.

“Mungesa e anëtarit ndërkombëtar, dje e pamundësoi që sot të kemi Rektorin e ri. Votimi i djeshëm tregoi për një situatë që do zgjidhje të shpejtë. Ministri i MASHT-it, duhet të vendos se a mund të mbajë peng Këshillin Drejtues me një anëtar ndërkombëtar që pavarësisht emrit të madh dhe ndihmës së madhe për Kosovën, asnjëherë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e KD-së. Ka shumë sinjale që për shkak të angazhimeve të mëdha të tij e ka të pamundur të vijë nga Austria”, kishte shkruar Veselaj në profilin e tij në Facebook.

Por në një deklaratë për KALLXO.com, Hoellinger hedh poshtë akuzat e Zeqirajt.

Ai thotë se Bordi kishte kuorum për të vendosur por “nuk ishte në gjendje ose nuk pati vullnet” që të vendoste .

“Sa i përket mungesës sime, nuk mendoj se dikush do të mund të ishte në pozitë që të dinte se si do të veproja unë duke qenë i pranishëm”, thotë Hoellinger, i cili është këshilltar i lartë i Ministrisë Federale të Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë të Republikës së Austrisë.

Ai thotë se kishte marrë ftesë nga UP përmes postës elektronike më 26 shkurt, një javë para takimit të 4 marsit, por para se të caktohej ky takim, ai thotë se kishte konfirmuar një takim në Paris në datat 2-5 mars prandaj nuk mundi të vinte në Prishtinë

“Më duhej t’i qëndroja marrëveshjes që e kisha pranuar më parë. Unë isha në pritje të takimit të Bordit të 11 marsit i cili ishte thirrur më herët. Kur e mora ftesën për takimin e 4 marsit më 26 shkurt, unë e ktheva një përgjigje të menjëhershme: Më falni, nuk mund të marr pjesë, unë isha në pritje të takimit të 11 marsit. Nuk mora asnjë përgjigje nga UP”, thotë Hoellinger.

Ai thotë se UP duhet të ndryshojë politikën e dërgimit të ftesave për pjesëmarrje në takimet e Këshillit Drejtues.

“Më parë ftesat për mbledhje të Bordit vinin 3 ditë më parë dhe kjo nuk më jepte gjasë për të udhëtuar”, shprehet ai.

Hoellinger thotë se tani është në pritje të transkriptit të mbledhjes së Bordit të 5 marsit për të parë se çka ka ndodhur në atë takim.

“Unë ende jam i gatshëm të kontribuoj për zhvillimin e frytshëm të sistemit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, ku UP është institucioni më i rëndësishëm. Por mendoj se kam të drejtë të kërkoj performansë më pozitive nga ana tjetër”, thotë ai.

Ndërsa Christian Geosits, shef i Zyrës në Kosovë të Agjensisë Austriake për Zhvillim (ADA), një nga mbështetësit më të mëdhenj ndërkombëtarë të UP-së, thotë për KALLXO.com se dërgimi i ftesave dy-tri ditë para mbledhjeve të KD-së dhe ndryshimi i papritur i datave po i komplikon gjërat dhe kjo gjë, sipas tij, është duke ndodhur që nga tetori vitit të kaluar.

“Pas kësaj unë kam kërkuar që të ndërmerren disa hapa si ofrimi i materialit mbështetës, thirrja e takimeve me kohë, jo vetëm për të siguruar që mund të marrim pjesë por edhe për ta çuar përpara institucionalizimin dhe ndërkombëtarizimin e UP-së”, thotë Geosits për KALLXO.com.

Ai thotë se roli i Austrisë është që të jetë një “partner konstruktiv” për ta mbështetur cilësinë dhe transparencën në sekorin e arsimit të lartë.

Në këtë drejtim ai thotë se ka qenë i befasuar kur ka lexuar në media “mes rreshtash” se faji për dështimin e zgjedhjes së rektorit të UP-së është zhvendosur te austrikakët.

“Kjo thjesht nuk është korrekte. Nuk mund ta mohojmë një shkallë të caktuar frustrimi ndërsa shpresojmë për një rrugë konstruktive përpara. Në fund të fundit, kjo është duke u bërë për të ofruar shërbime për dhjetëra- mijëra studentë”, thotë Christian Geosits.

http://kallxo.com/pse-nuk-erdhi-ne-mbledhjen-e-keshillit-drejtues-te-up-se-austriaku-sigurd-hollinger/