Dekani i Fakultetit të Edukimit të UP-së, Blerim Saqipi në Seminarin Ndërkombëtar në Lubjanë, Foto: UP
Dekani Saqipi me kolegë e studentë të Fakultetit të Edukimit të UP-së pjesë e Seminarit Ndërkombëtar në Lubjanë
Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ishte bashkorganizator i Seminarit Ndërkombëtar të Doktoratës në Lubjanë të Sllovenisë, nga data 20.05.2024 deri më 25.05.2024.
UP ka njoftuar se ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Lubjanës në ofrimin e programit të doktoratës me diplomë të dyfishtë, akredituar në vitin 2023 si një nismë inovative në universitet.
Bashkorganizatorë tjerë të Seminarit Ndërkombëtar të Doktoratës, përveç UP-së, ishin edhe Universiteti ‘Umea’ nga Suedia, Universiteti i Splitit të Kroacisë dhe Universiteti i Lubjanës.
Sipas UP-së, dekani, Blerim Saqipi studentë dhe profesorë të Fakultetit të Edukimit të UP-së kanë marrë pjesë dhe kanë udhëhequr aktivitete të Seminarit të organizuar në kryeqytetin slloven.
“Dekani i fakultetit, prof. Blerim Saqipi, mbajti ligjëratën hyrëse me temën “Të kuptuarit e zhvillimit të shkollës përmes perspektivës hulumtuese”. Studentët e doktoratës në programin me diplomë të dyfishtë të Fakultetit të Edukimit morën pjesë në seminare doktorale, ku prezantuan projektet e tyre të hulumtimit, morën pjesë në ligjëratat e organizuara me tematika të ndryshme të hulumtimit dhe koncepte arsimore, ndërsa profesorët nga Këshilli i Doktoratës, prof. Majlinda Gjelaj dhe prof. Naser Zabeli fasilituan seminaret e temave të didaktikës dhe edukimit në fëmijërinë e hershme” – thuhet në njoftimin e UP-së, më 24.05.2024.
Në këtë Seminar, UP thotë se kishte edhe ligjërata të tjera nga fusha e metodologjisë së hulumtimit me tema si “Të bërit hulumtim të realizueshëm”, “Metodologjia e studimeve fenomenologjike”, “Sistemi arsimor dhe reforma në Slloveni”, “Sistemi arsimor në Suedi”, “Meritokracia në arsim” dhe aktivitete të tjera të shumta në grupe të vogla, nga të cilat përfituan studentët e doktoratës.
Më tej, UP ka treguar se në këtë Seminar morën pjesë 60 pjesëmarrës nga Suedia, Kroacia, Sllovenia dhe Kosova.