Shtyhet seanca ndaj të dyshuarës se vrau burrin me sëpatë

Suzana Zogëjani – Sekiraqa është sjellur e prangosur në sallën e gjykatës në Prishtinë për seancën shqyrtimin fillestar ku po akuzohet për vrasjen e bashkëshortit të saj, Artan Sekiraqa.

Sipas aktakuzës më 21 nëntor 2018 rreth orës 08:30 në banesën e saj në Dole në Francë ku ishin duke jetuar se bashku me të ndjerin, e pandehura Suzana Zogëjani – Sekiraqa me dashje e privon nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj.

Prokuroria pretendon se Zogëjani e kishte kryer vrasjen duke e goditur me mjet të mprehtë – sopatë të paktën 11 herë në pjesën e sipërme të qafës si dhe në pjesën e poshtme të qafës të reliefit të supit të majtë.

Tutje përshkruhet se këto veprime të dhunshme kanë shkaktuar prerjen e kokës, ku ka mbetur e ngjitur me trungun vetëm me një pjesë të hollë të lëkurës.

Seanca e cila ishte e paraparë të mbahej sot u shty për një datë tjetër me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarës avokatit Sevdali Zejnullahu.

“Dua ta njoftoj Gjykatën se sapo bisedova me klienten time e cila më njoftoi se ka pasur probleme shëndetësore, si dhe njëkohësisht e njoftoj Gjykatën se shkresat e lëndës i kam pranuar dje me datën 12.01.2019 pas njoftimit paraprak nga Prokuroria” deklaroi avokati Zejnullahu

Në bazë të këtyre dy rrethanave ai kërkoi nga trupi gjykues ta ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, me qëllim ti ipet një kohë për përgatitjen e mbrojtjes.

Më tutje prokurorja Bukurije Gjonbalaj deklaroi se avokati Sevdali Zejnullahu shkresat e lëndës i ka pranuar në ditën e premte dhe se nuk ka arsye që shqyrtimit të shtyhet.

Mirëpo trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtësit.

“Meqenëse palët nuk janë pajisur me shkresat e lëndës me kohë dhe duke pasur për bazë çështje komplekse të kësaj lënde,seanca shtyhet” tha gjykatësi Beqir Kalludra.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 shkurt

Por lidhur me akuzat e prokurorisë e pandehura Suzana Zogëjani – Sekiraqa në deklaratën e saj në prokurori ka treguar se para ngjarjse tragjike, ajo dhe bashkëshorti i saj për një kohë kishin shkuar për të jetuar në Francë pasi që kanë pasur probleme me familjen e të ndjerit, dhe për shkak të problemeve shëndetësore të djalit të tyre.

Ndërsa ajo ka theksuar se me të ndjerin Artan Sekiraqa gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë ka kaluar mirë, por edhe në Francë, deri sa i ndjeri ka filluar të përdorë substanca narkotike ku është shndërruar komplet në person tjetër.

Më tutje ajo ka deklaruar se ka pasur raste ku e ka rrahur dhe keqtrajtuar të pandehurën dhe djalin pa asnjë arsye, me këtë ka njoftuar policinë dhe asistencën sociale.

Në po të njëjtën deklaratë të dhënë në prokurori e pandehura ka pohuar se natën para se të ndodhë rasti i ndjeri Artani ka qenë shumë nervoz.

Të nesërmen në mëngjes sipas saj, pra ditën kritike e pandehura deri sa ka qenë duke fjetur me një jogë me të ndjerin, e ka dëgjuar një krismë, i ka dal gjumi e ka pa që se ka telefonin afër, kur i ka qelë sytë ka pa të ndjerin me sakicë mbi të,ju kishin skuq sytë, e pandehura ka bërtit me tërëre fuqinë që e ka pasur, dhe me të dy këmbët e ka shty, në atë moment i njeri është ulur dhe sëpatën e ka mbajtur në dorë, e pandehura pohon se është zgjuar shpejt ia ka marrë sëpatën, ia ka dredh dy duart, pastaj e ka goditur me sëpatë në qafë, kur e ka pa se po i del gjak është tërheq i ka ra sakica nga duart, i ndjeri është çu prapë, ka dashtë me kapë sakicën por e pandehura e ka goditur prapë deri sa i ndjeri ka ra për toke.

E pandehura ka deklaruar se të ndjerin e ka dashtë , me dëshirë është martuar me të, është babai i fëmijëve të saj, emrin e tij e ka përjetësisht tatuazh në dorën e majtë, ajo ka theksuar se për shkak të problemeve dhe rrethanave që janë krijuar ka ardhur deri te kjo vrasje, dhe se as vetë nuk e di si ka ndodhur.