Gjykata Themelore në Gjilan

Shtyhet Seanca e Gjykimit për Shitblerje të Armëve

Është shtyrë seanca fillestare e gjykimit për shitblerje të armëve, pasi në të mungoi njëri nga të akuzuarit.

Edhe para se të konstatohej mungesa e të akuzuarit Muja Shabiut, seanca nisi me vonesë prej 40 minutash, pasi prokurori i dha përparësi një seance tjetër me të paraburgosur që zhvillohej në të njëjtën kohë.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan Naser Maliqi pas propozimit të prokurorit të shtetit Afrim Shefkiu vendosi që seanca e gjykimit ndaj Përparim Isufit dhe Muja Shabiut të shtyhet për një datë tjetër, pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm në gjykatore.

Po ashtu me propozim të prokurorit, gjyqtari mori vendim që të lëshojë urdhër-arrest për sjelljen me forcë në gjykatë të të akuzuarit Muja Shabiu.

Sipas aktakuzës, Perparim Isufi në dhjetor të vitit 2012 pa autorizim dhe pa leje ka siguruar dhe mbajtur në pronësi armën e zjarrit të llojit “Ekol Special 99”, dhe të njëjtën armë ia ka shitur Muja Shabiut.

Në aktakuzë thuhet se Muja Shabiu po në atë periudhë kohore pasi kishte blerë armën e sipërpërmendur, në janar të vitit 2013, atë armë ia shet Arif Shabanit në shumë prej 60 eurove.

Isufi e Shabiu akuzohen për veprën penale transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve, apo materieve plasëse.

Seanca e radhës është caktuar më 12 janar.