ShSKUK Kërkon Nga Prokuroria Emrat e të Akuzuarve për ‘Stentat’

Aktakuza e ngritur për mjekët në rastin e quajtur “Stenta” ka krijuar mjegull në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për shkak të mënyrës së si Prokuroria ka publikuar emrat e të akuzuarve.

ShSKUK ka kërkuar nga Prokuroria që të dalë me emrat e plotë të të akuzuarve, e jo vetëm me iniciale.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm do t’i drejtohet zyrtarisht Zyrës së Kryeprokurorit të vendit ku do të kërkoj zyrtarisht listën e plotë, meqë nga mediet janë të publikuar vetëm me iniciale dhe në disa raste është vështirë të deshifrohen emrat e tyre” tha Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK.

Fazliu tha se pas marrjes së këtij dokumenti institucioni do të zhvillojë procedurat bazuar në legjislacionin në fuqi.

Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj 64 personave, të cilët akuzohen në rastin e njohur si “Rasti i Stentave”.

Në këtë aktakuzë janë përfshirë gjithsej 60 persona fizikë dhe 4 persona juridikë. Prej të akuzuarve janë 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucionet publike shëndetësore, si  dhe 13 persona që kanë punuar ose punojnë në institucionet private shëndetësore, ku një numër prej tyre janë udhëheqës ose aksionarë të këtyre institucioneve private shëndetësore.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-ferid-aganit-dhe-63-personave-te-tjere/