Shpresa Bakija - Foto: KALLXO.com

Shpresa Bakija Kthehet në Punë

Shpresa Bakija është kthyer përsëri në vendin e saj të punës si kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, pasi Gjykata e Apelit ia vërtetoi pafajësinë më 3 nëntor.

E kontaktuar nga KALLXO.com Bakija kthimin në punë e komentoi me fjalët se  “drejtësia në fund ngadhënjen”.

Bakija akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës, por Gjykata në Gjilan e liroi atë më 16 qershor.

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/

Gjykata e Apelit e vërtetoi këtë vendim të Gjykatës Themelore të Gjilanit më 3 nëntor.

http://kallxo.com/vertetohet-pafajesia-ish-kryeprokurores/

Shpresa Bakija akuzohej në lidhje me rrjedhjen e mesazheve të dashurisë nga zyrat e Prokurorisë në Gjakovë.

Në tetor të vitit 2014, “Drejtësia në Kosovë” bazuar në një raportim në KALLXO.com publikoi të gjeturat e një hulumtimi i cili faktoi se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish-burrit të saj.

Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.

Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.

Hetimet për këtë rast kishin nisur në muajin nëntor të vitit 2014, vetëm disa javë pasi Zyra Ligjore e KALLXO.com kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit për të gjeturat me datë 5 tetor të po atij viti.