Shpresa Bakija - Foto: KALLXO.com

Bakija nuk ka Marrë Vendimin e Apelit

Ish-kryeprokurorja e Gjykatës Themelore në Gjakovë Shpresa Bakija kur foli për KALLXO.com nuk i komentoi shkrimet e medieve që Gjykata e Apelit vërtetoi pafajësinë e saj.

Bakija tha se ende se ka pranuar njoftimin dhe se nuk dëshiron ta komentojë atë pa e parë.

Megjithatë ajo e përdori një fjalë të urtë për të treguar se pret vërtetimin e pafajësisë nga Apeli.

“Drejtësia nganjëherë vonon por gjithmonë ngadhënjen,” tha Bakija.

Në lidhje me vendimin KALLXO.com i shkroi edhe Gjykatës së Apelit, por mori përgjigje nga zyrtarë të saj se do të përgjigjen nesër.

Ish-kryeprokurorja Bakija nuk deshi të flasë as në lidhje me atë se a do të kthehet në pozitën që mbante para se ndaj saj të ngrihej aktakuza, por tregoi se pasi ta marrë vendimin e Apelit do të shohë hapat që do t’i ndërmarrë.

Më 16 qershor Shpresa Bakija u lirua nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës.

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/

Bëhej fjalë për aktakuzën që lidhej me rrjedhjen e mesazheve të dashurisë nga zyrat e prokurorisë në Gjakovë.

Në tetor të vitit 2014, “Drejtësia në Kosovë” bazuar në një raportim në KALLXO.com publikoi të gjeturat e një hulumtimi i cili faktoi se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish-burrit të saj.

Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.

Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në muajin nëntor të vitit 2014, vetëm disa javë pasi Zyra Ligjore e KALLXO.com kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit për të gjeturat me datë 5 tetor të po atij viti.

Gjykata Themelore në Gjilan e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Shpresa Bakisë, por Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti rastin e ktheu në rivendosje.

http://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-prokurores-shpresa-bakija/

Pastaj Bakija u lirua nga themelorja, por prokurori u ankua përsëri ndaj këtij lirimi në Apel.