E Pafajshme Shpresa Bakija

Bakija akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës.

Bashkë me Bakinë në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe Arben Arifi për cenim të fshehtësisë së të dhënave- dokumenteve të mbyllura.

Arifi gjithashtu i lirua për vjetërsim të veprës penale me të cilën ngarkohej.

Gjykata në Gjilan e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Shpresa Bakisë, duke pushuar ndjekjen e saj penale, por Gjykata e Apelit rastin e saj e ktheu në rivendosje në muajin shkurt.

http://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-prokurores-shpresa-bakija/

Gjatë ditës në Gjykatën Themelore në Gjilan janë dhënë edhe fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori i shtetit Agron Uka në fjalën e tij tha se ekzistojnë elementet inkriminuese të të pandehurve dhe pas veprimeve të marra në procedurë gjyqësore, si gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave materiale dhe personale është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Uka kërkoi nga gjykata që ndaj të pandehurve të shqiptohet dënim meritor.

Ndërsa Ndrec Dodaj avokat i të dëmtuarës Xhemile Karakushi tha se ky proces gjyqësor ka qenë plot parregullsi.

Por i njëjti mbështeti fjalën e prokurorit duke shtuar se përmes një parashtrese e dëmtuara kërkon kompensim të dëmit moral dhe material.

E dëmtuara Xhemile Karakushi kërkoi që gjykata të sjellë drejtësi ngase nuk i dihet se çka do t’i ndodhë Shpresa Bakisë.

Po ashtu edhe avokatët Shemsedin Pira dhe Selami Rexhepi propozuan para gjykatës që ndaj të mbrojturve të tyre gjykata të marrë aktgjykim lirues pasi s’ka prova që dëshmojnë fajësinë e tyre.

Në tetor të vitit 2014, “Drejtësia në Kosovë” bazuar në një raportim në KALLXO.com publikoi të gjeturat e një hulumtimi i cili faktoi se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish-burrit të saj.

Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.

Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në muajin nëntor të vitit 2014, vetëm disa javë pasi Zyra Ligjore e KALLXO.com kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit për të gjeturat me datë 5 tetor të po atij viti.