Vendimi i Gjykatës - 2 vite burgim ndaj gjakovarit të akuzuar për vjedhje

Vedat Gjuliaj, i akuzuari për tre vepra penale sot u shpallë fajtorë.

Gjykata e Gjakovës, Gjuliajt i shqiptoi dënimin unik me burgim 2 vite e gjashtë muaj si dhe dënim të unifikuar me të holla prej 900 euro, për vjedhje të rëndë, grabitje në tentativë dhe lëndim të lehtë trupor.

Në këtë dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, prej datës 26 nëntor 2018.

Poashtu i njëjti është obliguar që t`i paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 25 euro, shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 25 euro dhe 50 euro për shpenzimet në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës, Vedat Gjuliaj në nëntor të vitit të kaluar, në pompën e derivateve “B3-Benz”, duke sulmuar të dëmtuarin V. Zenelaj, ka tentuar t’ia merr paratë që kishte në kuletë.

Pasi që i akuzuari Vedat Gjuliaj ia kishte marrë kuletën nga xhepi i të dëmtuarit, i njëjti ishte munduar të ikte por i dëmtuari V. Zenelaj e kishte kapur për dore ndërsa i akuzuari Vedat e kishte goditur me grushte në fytyre dhe trup- thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se pas 3 ditësh, i akuzuari Gjuliaj ia merr pasurinë e të dëmtuarit Sh. Berisha, duke i hyrë me forcë në shtëpinë e tij ku edhe i merr gjësende të cilat i dërgon për t`i shitur në hekurishte.