Ilustrim

Shkollat e Deçanit, Junikut e Mamushës megjithatë në grevë

Kryeministri Ramush Haradinaj mbrëmë kishte vendosur që mësimdhënësve të shkollave të mesme t’ua rrisë pagën për 74.8 euro nga paga aktuale, atyre të arsimit fillor 46.8 euro, mësimdhënësve të sistemit parashkollor 54.9 euro, kurse atyre të shkollave speciale për 49.8 euro.

Ndaj kësaj oferte reaguan pozitivisht komuna e Junikut, Deçanit dhe Mamushës të cilat mbrëmë njoftuan se që nga 21 janari do të ndërpritet greva dhe do të vazhdohet me procesin e rregullt mësimor.

https://kallxo.com/dorezohet-haradinaj-rrit-pagat-per-mesimdhenesit/

Por kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Rrahman Jasharaj, deklaroi mbrëmë se thirrjet e këtyre komunave për fillimin e mësimit nuk e përfaqësojnë qëndrimin e mësimdhënësve.

Pavarësisht njoftimit për ndërprerje të grevës, këto komuna sot kanë ndryshuar qëndrime si pasojë e mospajtimit me mësimdhënësit grevistë.

https://kallxo.com/jasharaj-nuk-ka-percarje-ne-sbashk-neser-greve/

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Junik, Fatos Shala në një prononcim për KALLXO.com tha se greva e mësimdhënësve po vazhdon në shkollat e Junikut dhe se paralajmërimi i mbrëmshëm nuk kishte të bënte drejtpërdrejtë me grevën.

“Me MAShT-in kemi vendosur që me u dhënë nxënësve pushim për shkak të kushteve jo të mira atmosferike, andaj në komunikatën e mbrëmshme ishte fjala që me fillu mësimi pas këtij pushimi, që ka qenë deri sot, dhe jo për shkak të grevës”, ka thënë Shala.

https://kallxo.com/sbashk-ose-do-te-fitojme-te-gjithe-ose-do-te-humbim/

Drejtori i Arsimit në komunën e Deçanit Bekim Vishaj deklaroi se mbrëmë janë marrë vesh që ta pranojnë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj por gjatë ditës së sotme mësimdhënësit kanë ndryshuar qëndrim.

Ai tha për KALLXO.com se sot ka pasur nxënës që kanë shkuar në shkolla dhe mësimdhënësit kanë qenë në vendet e punës por mësimi nuk është mbajtur.

https://kallxo.com/juniku-e-decani-paralajmerojne-fillimin-e-procesit-mesimor-neser/

“Janë në grevë por edhe janë takime me sindikata dhe për momentin nuk ka ndonjë zhvillim të ri. Edhe pse disponimi i komunës dhe drejtorisë është me vazhdu mësimin, por për mësimdhënës nuk kemi informacion të saktë sepse po presim me reflektu pozitivisht për të mirën e procesit”, theksoi Vishaj.

Edhe ish drejtori i Arsimit në Deçan, Qazim Maloku i cili tashmë është ushtrues detyre i drejtorit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në këtë komunë, tha se në takimin e mbrëmshëm kryetari Bashkim Ramosaj ka kërkuar që greva të ndërpritet.

“Gjatë këtij takimi jemi dakorduar që të fillojë mësimi sot duke u marrë vesh me trupën arsimore. Sot nuk kemi mbërri me u dakordu as me kryetarin e Sindikatës, as me mësimdhënësit sepse ata e përkrahin qëndrimin e Sindikatës së Bashkuar. Edhe sot nuk po vazhdon mësimi.”, tha Maloku për KALLXO.com.

https://kallxo.com/sbashk-neper-komuna-per-ta-qartesuar-greven/

Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se takimet janë duke vazhduar me përfaqësues të mësimdhënësve, mirëpo deri tani sipas tij, greva nuk është ndërprerë dhe mësimdhënësit janë duke e bojkotuar procesin mësimor.

“Mirëpo ne pas orës 13:00 do t’i mbledhim raportet e sakta dhe nëse ka ndonjë rast ku nuk është përfill greva ne do ta publikojmë sepse nuk duam që të kemi shifra që nuk janë dhe duam ta prezantojmë gjendjen shumë reale. Për momentin raportet fillestare flasin se i tërë sistemi arsimor vazhdon të jetë në grevë”, deklaroi Jasharaj.

Nënkryetari i komunës së Mamushës, Hilmi Shala tha për KALLXO.com se deklarata e mbrëmshme ishte kërkesë e kryetarit të komunës mirëpo greva e mësimdhënësve ende po vazhdon.

https://kallxo.com/mamusha-e-pranon-oferten-e-kryeministrit-nis-te-henen-mesimin/

“Greva po vazhdon tash jemi në mbledhje me kryetarin por janë duke vazhduar grevat. Kryetari ka kërkuar me fillu shkollat por janë duke vazhdu grevat”, shtoi ai.

Ndërsa, sipas Ligjit për Greva në Nenin 20 Ndërprerja e grevës bëhet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të grevistëve, arritjes së marrëveshjes me punëdhënësin, pas vlerësimit të Këshillit Grevist për arsyeshmërinë e ndërprerjes së saj dhe kur janë në pyetje rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deklaratat e deritanishme tregojnë që asnjëra nga këto pika nuk janë përmbushur që të arrihet ndërprerja e kësaj greve të mësimdhënësve.

Pra, pavarësisht propozimit të kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të mësimdhënësve të tri niveleve, mësimdhënësit që janë në grevë, sipas Ligjit për Greva, në Nenin 22 te Procedura e pajtimit, pika 3 thuhet se ‘palët mund të pranojnë ose të refuzojnë propozimin e Komisionit të pajtimit’.