Foto: Atdhe Mulla

SBAShK-u paralajmëron grevë për Ligjin për Paga

Këshilli Drejtues i SBAShK-ut sot ka paraqitur mundësinë që të premten arsimtarët të bëjnë grevë dy orëshe, si shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit për Paga që është dërguar në Kushtetuese.

Sipas kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ky vendim do të mirret nesër pasi që të diskutojnë me sindikatën e Policisë dhe të Shëndetësisë.

“Ne kishim arritur ta ndryshojmë koeficientin në Ligjin e Pagave. Avokati i Popullit e dërgoi Ligjin në Kushtetuese që ai të pezullohet. Kjo situatë ka bërë që punëtorët e arsimit të ndihen me arsye të zhgënjyer. Të gjitha sindikatat i kanë dërguar letra të gjithë krerëve të shtetit për t’u takuar me ta dhe për t’u munduar së bashku për zgjidhje që Ligji i Pagave të fillojë se implementuari”, ka thënë ai.

“Ne jemi në kontakte me Sindikatën e Shëndetësisë dhe të Policisë që zhgënjimin tonë ta shprehim dhe t’i tregojmë popullit se nuk po tallemi e jemi në hall të madh dhe të mos ketë më vonë pasoja. Ne jemi të thirrur që të dërgojmë në vend zërin e punëtorëve të arsimit”, ka shtuar Jasharaj.

Kjo thirrje e SBAShK-ut ka ardhur pasi që Insititucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Avokati i Popullit ka konsideruar se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Ndërsa, më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020. Ky ligj ka paraparë reformë të thellë të punësimit dhe të avancimit të shërbimit civil të Kosovës.

SBAShK-u para se të miratohej ky Ligj kishte mbajtur grevë trijavëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre, po se orët e humbura të kësaj greve kurrë nuk u zëvendësuan pavarësisht se MAShT-I kishte marrë vendim që ato të kompensohen.