Dëmet nga shiu në Kërçovë - Foto: Rtv21

Shiu për Një Natë ia Mori Mundin e Jetës

Pronari i shtypshkronjës po hap derën e dyqanit. Por, dera hapet me vështirësi.

Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga vërshimet, uji vazhdon të jetë brenda objektit.

Ai ka punuar në kurbet për t’i blerë këto makineri.

Pajazit Bajrami thotë se mundi i gjithë jetës u zhduk për një natë. “Këto makineritë të gjitha janë të prishura, 40-50 mijë euro kom dëme materiale. Tani nuk e di nëse do të na ndihmojë komuna. Tani nuk kam, të gjithë mundin e kisha këtu.. nuk e di… Sa të mundem vetë por do e shoh nuk di çfarë të them”, tha Pajazit Bajrami.

Përveç bizneseve të vogla u dëmtuan edhe shumë shtëpi në Kërçovë të Maqedonisë.

Dyshemetë e mbi 100 shtëpive janë të mbuluara me baltë.

Banorët thonë se të gjitha aparatet shtëpiake u janë djegur.

Isen Zeqiri thotë se nuk di se si t’ia bëjë me këto kushte, ato presin që të vijë komisioni për vlerësimin e dëmeve, por halli më i madh është se nuk kanë ku të bëjnë gjumin.

“Nuk kemi ku të bëjmë gjumin, nuk kemi ku të rrimë, tek familja ku jemi tani momentalisht mund të rrish një natë nuk mund të rrish më shumë. Jemi në hall shumë. I lutem qeverisë të na ndihmojnë se jemi shumë në hall se burri 60 vjeç nuk qan, ama kam shumë hall të madh. Do t’i shihni dhomat e tjera si janë më katastrofë se këtu”, tha Isen Zeqiri.

Shumë banorë të kësaj lagje ishin jashtë shtëpive të tyre.

Ata presin që sadopak mund të thahet balta që është në shtëpitë e tyre.

“Kur jemi kthyer në mëngjes uji kishte deri këtu, të gjitha na i dëmtoi, nuk kemi as bukë asgjë. Nuk kemi ku të bëjmë gjumë fëmijët më kanë mbetur pa bukë”, u shpreh Elizabeta Ajredinovska.

Ndërkohë, arritën përfaqësues nga Komuna e Kërçovës për të parë dëmet materiale.

“Sot gjendemi në Lagjen Prilepska, ku gjatë vërshimeve janë bërë dëme në këtë lagje për sa i përket datës së djeshme që do të thotë ditën e diel. Në këtë lagje qendra për punë sociale me një komision prej katër anëtaresh ishte në terren evidentoi të gjithë familjet që ishin të dëmtuara në bashkëpunim me kryetarin e komunës Fatmir Deharin në sallën e quajtur Ivan Idol u strehuan mbi 15 familje”, tha Arian Imeri, udhëheqës i sektorit punë sociale Kërçovë.

Komisioni shtatëanëtarësh theksoi se sot kanë dalë në terren vetëm për të parë se sa është dëmi i përgjithshëm.

Komisioni për vlerësimin e dëmeve do të vijë ditëve në vijim ku do të vlerësojë edhe dëmin nëpër shtëpi dhe biznese të vogla dhe gjetjen e mënyrës së kompensimit të të njëjtave./21Media