Rrëshqitja e dheut në Llaushë, Bekim Jashari viziton vendin pasi banorët intervenuan në pastrimin e rrugës
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar vërshime dhe rrëshqitje të dheut edhe në Komunën e Skenderajt.
Në fshatin Llaushë përkatësisht në rrugën Skenderaj-Klinë, ka pasur rrëshqitje të dheut, për të cilat qytetarët kanë intervenuar në zhbllokimin e rrugës.
Kryetari i kësaj komune Bekim Jashari ka vizituar mbrëmë nga afër dëmet e shkaktuar nga shiu në këtë zonë. Jashari ka kërkuar nga qytetarët që për një intervenim të “shpejtë dhe efikas” të njoftojnë institucionet përkatëse në raste të tilla.
“Pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, drejtoria e shërbimeve publike është vënë në dispozicion për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, me ç’rast pas informimit nga banorët kanë intervenuar, duke zhbllokuar dhe pastruar rrugën në fshatin Llaushë, pas rrëshqitjeve të dheut. Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga shiu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Nënkryetari i Komunës, Nuredin Lushtaku”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.
KALLXO.com ka raportuar të hënën për vërshimet në dy rrugë të Skenderajt.
Pamje – Uji vërshon rrugët e Skënderajt pas reshjeve të sotme të shiut