Një grua proteston në Iran. Foto: AFP via REL

ShBA dhe Europa e Dënojnë 'Humbjen e Jetëve' në Iran

Liderët europianë u janë bashkuar atyre amerikanë në dënimin e asaj që ata e kanë quajtur “humbje e papranueshme e jetëve njerëzore” në protesat në gjithë Iranin dhe i kanë bërë thirrje Teheranit të lejojë që protestuesit paqësorë lirisht t’i shprehin shqetësimet e tyre.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, mbrëmë vonë i kanë bërë këtë thirrje Teheranit, pas vrasjes së 22 vetëve dhe arrestimit të më tepër se 450 personave, në gjashtë ditët e njëpasnjëshme të protestave në gjithë Iranin.

“Të drejtat fundamentale, përfshirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë për të demonstruar, duhet të respektohen”, ka thënë presidenti Macron.

Këto deklarata nga liderët europianë u bënë një ditë pasi administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donnald Trump, tha se do ta shtrojë çështjen e protestave në Iran, para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. (REL)