SEECP këtë vit do të udhëhiqet nga Kosova

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, në një konferencë për media ka treguar se Kosova ka marrë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP.

Pacolli tha se prioritet do të jetë mbajtja e të rinjve brenda vendit, promovimi i kulturës dhe i turizmit.

Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania dhe Serbia. Kryesimi i SEECP është njëvjeçar.

Para Kosovës, udhëheqjen e SEECP e ka kryesuar Bosnja dhe Hercegovina.

Në mbledhjen e fundit të mbajtur në Bosnjë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli nuk kanë marrë pjesë pasi ne ftesën e dërguar shteti i Kosovës ka pasur fusnotë.

Kosova bën pjesë në grupin e shteteve qe anëtarësuar në SEECP gjatë vitit 2014-të.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ( SEECP ) ishte nisur më Bullgari në vitin 1996.

Një karakteristikë e veçantë e SEECP është se ajo është një formë origjinale e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit të nisur me iniciativën e tyre, dhe jo me iniciativën e ndonjë organizate ose shteti tjetër ndërkombëtar .

Qëllimet themelore të bashkëpunimit rajonal në kuadër të SEECP përfshijnë forcimin e sigurisë dhe situatën politike, intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimin në fushat e burimeve njerëzore, demokracisë, drejtësisë dhe betejës kundër aktiviteteve ilegale.

Synimi i SEECP është të mundësojë që anëtarët e saj t’i afrohen strukturave evropiane dhe euroatlantike nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe transformimit të rajonit në një zonë paqeje dhe stabiliteti.