Seancë e Mbyllur në Gjykimin e Gani Gecit

Seanca e sotme në gjykimin e Gani Gecit ka qenë e mbyllur për publikun me kërkesën e dy dëshmitarëve që dëshmuan në  Gjykatën që gjendet në veri të Mitrovicës.

Pas përfundimit të seancës avokati i Gani Gecit Ndrec Dodaj ka theksuar për KALLXO.com se edhe pala e mbrojtjes ishte pajtuar që këta dy dëshmitarë të dëshmojnë më dyer të mbyllura.

“Edhe në seancën e sodit si seancat e kaluara janë dëgjuar disa dëshmitarë, disa të propozuar nga prokuroria si dhe disa dëshmitarë nga mbrojtja të propozuar në fazën e hetimeve, ku Gjykata i ka konsideruar si dëshmitarë të mbrojtjes”, tha Dodaj.

Sipas tij, seanca qe e mbyllur për shkaqe sigurie të dëshmitarëve.

“Seanca ishte e mbyllur me kërkesë të dëshmitarëve edhe ne u pajtuam me kërkesat e tyre. Edhe ne e konsideruam si kërkesë të arsyeshme sepse u folën disa gjëra pak të ndjeshme dhe dëshmitarët nuk e ndjenë veten të sigurt për atë që kanë dëshmuar”, shtoi avokati.

Në këtë rast gjyqësor Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në qendër të Skenderajt më 4 gusht të vitit të kaluar. Seanca e radhës do të vazhdojë nesër më fillim nga ora 9:30.