ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com
Gani Geci paraqitet në Qendrën e Paraburgimit për të vuajtur dënimin për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit
Përmes një fotografie të publikuar në Facebook, ish-deputeti Gani Geci ka bërë të ditur se sot është paraqitur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të mbajtur dënimin me burg të cilin Gjykata ia ka shqiptuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Geci ka bërë të ditur se Gjykata e Mitrovicës kishte lëshuar urdhëresë që të paraqitet sot, më 4 janar, ndërkaq, sipas tij, nga dënimi prej 3 vjetëve, i kanë mbetur edhe 1 vit e 8 muaj për të vuajtur dënimin.
Ai ka thënë se tash ka të drejtë të kërkojë lirimin me kusht.
“Për të vuajtur denimin më kanë mbetur edhe 1 vit e 8 muaj. Duke u bazuar në Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale unë kam kaluar mbi gjysmën e vuajtjes së dënimit. Tani kam te drejtë në lirim me kusht, pushim 14 ditësh dhe të gjitha benificionet e lejuara me ligj” – ka shkruar Geci.
Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Gjykata e Apelit ka vendosur kundër ankesës së mbrojtjes së Gani Gecit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila e pati dënuar Gani Gecin me 3 vite e 6 muaj burg.
Ish-deputeti Gani Geci akuzohej për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, në njërën nga kafiteritë e Skenderajt në gusht 2014.
Apeli me këtë vendim ka vërtetuar vendimin dënues të Themelores dhe ka hedhur poshtë të gjitha ankesat.
Meqë kundër vendimit të Themelores ka paraqitur ankesë edhe Prokuroria dhe pala e dëmtuar, të cilët kanë kërkuar dënim më të lartë e kthim të cilësimit të veprës akuzuese në vrasje të rëndë dhe jo vrasje në gjendje të tronditjes së fortë.
Në vendimin e Apelit thuhet se vendimi i ankimuar nuk ka përfshirë shkelje procedurale apo shkelje të tjera.
Gani Gecin Apeli e gjeti fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit