Prezantimi i hulumtimit të ERAC - Foto: KALLXO.com
S’e Dinë Dallimin mes Transgjinorëve dhe Transseksualëve
“Nuk e di” është përgjigjja më e zakonshme që është dhënë nga 14 prej 25 profesionistëve shëndetësorë kur u pyetën për dallimin midis termave transgjinor, transvestit dhe transseksual.
Ky rezultat është pjesë e dokumentit të politikave mbi mbrojtjen sociale dhe qasjen në shëndetësi të komunitetit transgjinor në Kosovë, të prezantuar nga koalicioni “Të drejta të barabarta për të gjithë”(ERAC).
Ky hulumtim është bërë me financimin e BE-së në vlerë rreth 1 milion euro.
Hulumtuesit që punojnë për të drejtat e njeriut të pjesëtarëve të komunitetit LGBT në Kosovë kanë kryer intervista me persona transseksualë, të cilët raportojnë për gjendjen e tyre të vështirë dhe të cilët janë subjekt i presionit të madh nga shoqëria dhe madje edhe nga familjet dhe miqtë e tyre.
Pjesë e këtij hulumtimi ishin edhe punëtorët socialë. Të pyetur nëse u kërkohej t’i ofronin ndihmë një personi transgjinor sa rehat do të ndiheshin 5 nga 17 të intervistuarit kanë deklaruar se do të ndiheshin absolutisht rehat. Kurse, asnjë nuk është deklaruar se do të ndihej jorehat.
Thomas Gnocchi, përfaqësues nga Zyra e BE-së, tha se një ligj i mirë nuk është i mjaftueshëm edhe pse në Kosovë të drejtat e komunitetit LGBT, ku përfshihen edhe të drejtat e personave transgjinorë, janë të mbrojtura nga neni 24.3, i cili thotë që askush nuk duhet të jetë i diskriminuar në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, gjinisë.
“Njerëzit e komunitetit LGBT janë të shtypur, të cilët nuk janë të mbrojtur për shkak se u takojnë grupeve të margjinalizuara, të cilët gjithmonë jetojnë me një frikë, urrejtje dhe janë të nënҫmuar dhe të drejtat e tyre nuk janë të mbrojtura në mënyrë të drejtë. Ne dëshirojmë të ngremë këtë ҫështje, të drejtat e personave transgjinorë, në mënyrë që të mund të jetojnë si të gjithë të tjerët” u shpreh Gnocchi.
Merita Syla, këshilltare e lartë ligjore në institucionin e Avokatit të Popullit tha se nga viti 2004 ky institucionin ka departamenti për mosdiskriminim, ku në mënyrë të veçantë trajtohen rastet që kanë të bëjnë me diskriminimin.
Sipas Sylës, institucioni i Avokatit të Popullit në mandatin e tij ka të mbikëqyrë dhe të mbrojë të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.
“Ligji për mbrojtje nga diskriminimi i garanton të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës në përgjithësi por në veçanti po e fokusoj mbron në mënyrë të veçantë identitetin gjinor dhe orientimin seksual, pra vetëpërfshirja e identitetit gjinor si një prej bazave që personat mund të trajtohen ndryshe me këtë ligj garantohet trajtimi i barabartë”, shtoi ajo.
Në rekomandimet e këtij hulumtimi thuhet që shoqëria civile duhet të punojë me punëtorët socialë dhe profesionistët shëndetësorë për të ofruar trajnime lidhur me të drejtat e personave transgjinorë si dhe në ofrimin e përdorimit të të dhënave të fundit prej dokumenteve dhe protokolleve të standardeve.
Redaktoi: Naser Sertolli