Shtëpia e Aleksandër Lumezit | Foto: KALLXO.com

‘Rruga’ e Hajnave të Dyshuar deri në Sallonin e Lumezit

KALLXO.com siguroi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për vjedhjen e telefonit të kryeprokurorit të shtetit, ndërsa në këtë kërkesë tregohet mënyra se si këta të dyshuar depërtuan në sallonin e Aleksandër Lumezit.

M.M, N.G, M.G dhe L.K sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, po dyshohen për vjedhje të rëndë të kryer së bashku.

Sipas prokurores së rastit, Javorka Prlinçeviq, të dyshuarit më 22 nëntor të këtij viti, rreth orës 13 e 25 kanë hyrë në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi duke depërtuar nga pjesa e pasme e shtëpisë, meqë në atë pjesë nuk kishte pasur kamera dhe oborri i shtëpisë fqinje nuk ishte i rrethuar.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, thuhet se policët që ruanin shtëpinë e Lumezit nuk kishin pamje në pjesën nga prokuroria pretendon se hynë të dyshuarit.

Më tutje në kërkesë përshkruhet “rruga’ e të dyshuarve deri në sallonin e shtëpisë së kryeprokurorit.

“Të dyshuarit në shtëpi kanë hyrë duke hapur me dhunë derën e ballkonit me kaçavidë,  kanë hyrë brenda nga pjesa e pasme, pastaj kanë hyrë në pushimore, e cila ishte e mbyllur me çelës nga brenda dhe pastaj janë drejtuar në sallonin e shtëpisë  së Lumezit.

Sipas prokurores, pikërisht në sallonin e shtëpisë së Lumezit ata kanë gjetur një telefon “Samsung” të papërdorur.

Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë përshkruhet se pasi kanë dëgjuar zhurmë, familjarët kanë zbritur poshtë, kurse të dyshuarit kanë ikur andej nga kishin hyrë, duke e harruar gjatë ikjes edhe kaçavidën e tyre.

Sipas prokurorisë, policia pati probleme gjatë arrestimit të njërit nga të dyshuarit për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit.

“I dyshuari L.K., më datë 27 të këtij muaji në Lagjen ‘Dardania’ në Fushë-Kosovë, gjersa zyrtari policor ka qenë duke e arrestuar,  ka nxjerrë pistoletën duke tentuar ta frikësojë policin, i cili ka arritur që t’i kapë armën nga dora, përkundër se në tytën e armës kishte plumb,” thuhet në kërkesë.

Masa e sigurisë ndaj katër të dyshuarve për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit pritet të caktohet sot gjatë ditës.

Vjedhja në shtëpinë e Lumezit ndodhi më 22 nëntor, ndërsa të dyshuarit për të dolën para gjyqit pas vetëm një jave. Dy zyrtarë policorë janë suspenduar për neglizhencë në lidhje me këtë rast.

http://kallxo.com/shtepia-e-aleksander-lumezit-ne-shenjester-te-hajnave/

Dje KALLXO.com shkroi se telefoni i Lumezit u tentua të shitej.

http://kallxo.com/telefoni-lumezit-u-tentua-te-shitej/