Rriten pagat e zyrtarëve të KQZ-së

Nga kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit e deri te zyrtari i Transportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të marrin pagën me rritje që nga fundi i muajit mars.

Kreyshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve do të marrë një pagë për 28 për qind më të lartë, apo shprehur në shifra do t’i marrë 1,500 euro kurse më parë paga e tij ishte 1,171 euro.

Ndërsa, zyrtari i Transportit kishte një pagë prej 423 euro, ndërsa me ndryshimet e bëra paga e tij është rritur në 672 euro. Rritja e pagës te ky zyrtar ishte për 58 për qind.

E zëdhënësi i KQZ-së kishte një pagë prej 544 euro, ndërsa me rritjen e pagave për KQZ-në paga e tij do të jetë 900 euro. Paga e zëdhënësit është rritur për 65%.

KALLXO.com e ka siguruar një listë me pagat aktuale dhe pagat e zyrtarëve pas rritjes. Rritja e pagave është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave.

Sipas Ministrisë së Financave, procesi i ekzekutimit të pagave me ndryshimet përkatëse është në vijim dhe do të përmbyllet brenda muajit mars, duke marrë parasysh vendimin dhe kërkesën e KQZ-së për zbatim të rregullores së brendshme, sipas dokumentacionit dhe përgjegjësisë ligjore dhe institucionale të vetë KQZ-së.

Kjo rritje e pagave për Ministrinë e Financave është në përputhje me planifikimet buxhetore të reflektuara në Ligjin e Buxhetit për vitin 2019 dhe është në proces të ekzekutimit.

“Me ligjin e buxhetit për vitin 2019, KQZ-së i është ndarë buxhet shtesë për paga për harmonizimin e koeficienteve në zbatim të rregullores së brendshme sipas dokumentacionit dhe përgjegjësisë ligjore të KQZ”, potencohet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për KALLXO.com.

Fillimisht kërkesa e KQZ-së drejtuar Ministrisë së Administratës Publike është parashtruar më 16 korrik 2018. Kjo kërkesë ishte për vendosjen e të gjitha pozitave/emërtimeve të titujve të vendeve të punës  në sistemin dhe listën e pagave në bazë të pozitave/titujve dhe të koeficienteve për pagat sipas Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin e KQZ-së.

Më pas, Ministria e Administratës Publike e ka informuar KQZ-në se bazuar edhe në Memorandumin e Bashkëpunimit të datës 14 janar 2015, për bartjen e Divizionit të Sistemit të Pagave nga MAP në Ministrinë e Financave, miratuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës, kërkesa për procedim për t’i  vendosur në sistem dhe në listën e pagave, të gjitha pozitat/emërtimet e vendeve të reja dhe koeficientet e ri të KQZ-se duhet t’i drejtohet Thesarit në Ministrinë e Financave.

“Vendosjen në sistem dhe në Listën e pagave, të gjitha pozitat/emërtimet e vendeve të reja dhe koeficientet e rinj për paga, sipas procedurës se përcaktuar, nëse janë në përputhje me dispozitat ligjore e realizon Thesari/MF”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Administratës Publike për KALLXO.com.

KQZ më 14 shkurt 2019 ka dërguar në Ministrinë e Financave kërkesën me shkrim për zbatimin e vendimit të KQZ-së si organ kushtetues. Përkatësisht kërkesën për zbatim të Rregullores për organizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës të Sekretariatit të KQZ-së.

“Në vijim të kërkesave, me datën 14 mars 2019, KQZ përmes shkresës ka dorëzuar kërkesën për procesim të formularëve standard të pagave, në përputhje me procesin e zakonshëm të ekzekutimit të pagave për të gjithë shërbyesit civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në KQZ në lidhje kërkesën për rritje të pagave, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Me Ligjin e ri për Pagat e Sektorit Publik janë rregulluar vetëm pagat e anëtarëve të KQZ-së.