Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Sokol Morinës për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i Pejanit për Plagosjen në Siri

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës ai akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, kurse sot gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës Themelore të Pejës ai tha se ndihet i pafajshëm.

Ndonëse tha se ndihet i pafajshëm, Sokol Morina nuk e mohoi faktin se kishte qëndruar disa muaj në shtetin e Sirisë. Atje tha se i është bashkuar Ushtrisë së Lirë Siriane.

Gjatë shqyrtimit kryesor në deklarimin e tij tha se shkak për shkuarjen e tij në Siri ishin përjetimet e njëjta të luftës së Kosovës me atë së çfarë ishte duke ndodhur me popullatën siriane.

“Shkaku pse kam shkuar atje ka qenë se unë e kam përjetuar luftën në Kosovë. Kam shkuar kah mesi I qershorit të vitit 2013. Nuk kam pasë asnjë ndikim për të shkuar. Ky ka qenë vullneti im t’i bashkëngjitëm luftës. Qëllimi ka qenë t’i bashkohem Ushtrisë së Lirë Siriane dhe kjo ka ndodhë”, tha i akuzuari.

“Ushtria e Lirë Siriane ka qenë kundër zullumit të Assadit”, tha ai.

Tutje, Sokol Morina tha se pasi kishte shkuar te kufiri mes Turqisë dhe Sirisë ishte takuar me një person i cili, sipas tij, i kishte mundësuar të hyjë në shtetin sirian.

“Në natën kur kemi shku e kemi taku një njeri dhe kam fol me të, e kam vetë ku mundem mu taku me Ushtrinë e Lirë. Ai na ka marrë, na ka strehu në një shtëpi. Të  nesërmen kanë ardhë dy persona sirianë pasi ka kontaktu ai me ta. Na kanë marrë, na kanë dërgu në ni bazë. Aty kemi qëndru një kohë, 10 ditë dhe kemi ushtruar dhe unë nuk kam marrë pjesë ne luftë asnjëherë”, deklaroi ai.

Rreth dy muaj pasi kishte shkuar në zonën e Aleppos, Morina tha se duke shkuar për të blerë mbushje të telefonit ishte plagosur në këmbë nga snajperi që sipas tij ka qenë pjesë e ushtrisë së Bashar al Assadit.

“Plagën e kam marrë kur kemi ra në pritë, kur kam shku me ble mbushje të telefonit. Kah jemi kthy ka gabu shoferi dhe kemi ra në pritë ku ka gjujtë snajperisti dhe më ka plagos”, tha i akuzuari.

Sipas dëshmisë së tij, Morina tha se pas plagosjes ai ishte trajtuar fillimisht në ambulancë, pastaj në një spital në zonën e Aleppos, që sipas tij në atë kohë ishte nën kontroll të Ushtrisë së Lirë.

Gjatë dëshmisë së të akuzuarit, avokati i tij, Asdren Hoxha, e pyeti për disa fotografi të disa personave të cilat janë nxjerrë nga kompjuteri i tij dhe janë pjesë e shkresave të lëndës.

Morina tha se personat në fotografi janë mjekë të cilët i kanë ndihmuar gjatë trajtimit të tij në spital.

Avokati i Sokol Morinës e pyeti atë edhe për disa harta që janë pjesë e shkresave të Prokurorisë dhe disa harta të cilat mbrojtja i ka propozuar.

“Hartat qe i ka propozuar prokurori i shtetit në periudheën kur kam qenë atje ato nuk përputhen me realitetin, përkatësisht në atë kohë kur unë kam qenë ka pas kontroll Ushtria e Lirë Siriane e jo ato të prokurorit në të cilat shihet se ka qenë kontroll ISIS”, tha Morina.

Më tej, i akuzuari tregoi si kishte arritur të kthehej nga Siria sërish në Kosovë.

“Pas një periudhe që kam ba pak ma mirë pasi që kam qenë në trajtim dhe jam kthy në Kosovë në fund të janarit apo fillim te shkurtit 2014. Ai përgjegjësi i Ushtrisë së Lirë me ka ndihmuar mu kthy, qata qe janë përkujdes për mu gjate trajtimit, të cilët më kanë afruar deri në kufi me Turqi, ndërsa nga kufiri me Turqi më kanë ndihmu disa persona tjerë civilë. Unë nuk i kam takuar asnjë  organizate terroriste përveç Ushtrisë së Lirë,  por as me ata nuk kam pasë asnjë marrëveshje”, tha ai.

I pyetur nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, se a ka pasur edhe qytetarë të tjerë të Kosovës në atë pjesë të Sirisë ku ka qëndruar Morina, ky i fundit tha se nuk ka pasur.

Prokurori Hoxha e pyeti se para se të shkojë në Siri në cilat xhami i ka kryer ritet fetare. I akuzuari tha se nuk ka pasur ndonjë vend të caktuar ku është falur.

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe mjeku fizoterapeut, Burim Peli, i cili tha se qëndron pranë raportit të cilin e ka lëshuar për Sokol Morinën gjatë kohës kur ai ka qenë në trajtim në ordinancën e tij private.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, caktoi seancën e radhës për më 5 qershor. Ai paralajmëroi palët të përgatiten për fjalën përfundimtare.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se Sokol Morina dhe Alban Shala i ishin bashkuar grupit terrorist “Al Nusra” në Siri.

https://kallxo.com/fluturimi-i-sokolit-drejt-folese-se-al-nusras/