Shpallja e aktgjykimit ndaj Valbona Berishës, e akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri - 13.02.2020

Gjykata vendos për të akuzuarën që kishte shkuar në Siri

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore Valbona Berishën, e cila akuzohej për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

E akuzuara Valbona Berisha u dënua me 2 viteve burg me kusht. Dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

“Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burgim me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke ia llogaritur edhe kohën e qëndrimit në arrest shtëpiak”, tha gjyqtarja Shadije Gërguri.

Valbona Berisha, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrje në grupim terrorist në seancën fillestarë më 12.2.2020.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara Valbona Berisha me qëllim për t’u bashkangjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra në Siri dhe Irak, e akuzuara me datën 26.9.2014 në ora 7:17, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, është larguar nga Kosova, duke kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, me pasaportë RKS.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Valbona Berisha së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin dhe nga Aeroporti i Shkupit kanë udhëtuar drejtë Stambollit dhe më tutje Sirisë, ku pas bashkimit në grup terrorist burri i saj Ekrem Hasani, është vrarë më 30.4.2015 në Siri, kurse e pandehura ka qëndruar atje deri në kohën kur është deportuar në Kosovë, më 20.4.2019.

Gjykata të akuzuarën Valbona Berisha e urdhëroi që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu apo këshillues të tjerë dhe të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre në kohëzgjatje prej dy vite nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, Gjykata urdhëroi Shërbimin Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me burg të kushtëzuar dhe detyrimit të shqiptuar në këtë dënim me kusht. Nëse e akuzuara nuk i përmbahet kontakteve të Shërbimit Sprovues ose nuk i përmbush detyrimet e caktuara nga psikologu ose këshilluesit tjerë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues , të njëjtës do t’i revokohet dënim me kusht dhe do t’i shqiptohet dënimi me burgim efektiv.