Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata lëshon urdhër-arrest ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar seanca e rigjykimit të Nexhat Ademit, i cili akuzohet për organizmin dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ademi akuzohet se më 17 janar 2014 ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, e nga aty ka arritur të kalojë në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

Arsye për mosmbajtjen e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit, për të cilin gjyqtari Vesel Ismajli tha se sipas informatave të pranuara nga stacioni policor i Mitrovicës, ai nuk është gjetur në shtëpi.

“Familjarët e të akuzuarit kanë informuar zyrtarët policorë se i njëjti kishte dalë nga shtëpia në ora 8:00 të mëngjesit dhe nuk ishte kthyer më”, tha gjykatësi Vesel Ismajli.

Më tutje gjykatësi deklaroi se ndaj të akuzuarit Nexhat Ademi do të lëshohet urdhëresë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Seanca e radhës është shtyrë për afat të pacaktuar.

Të pranishëm ne seancën e së enjtes ishin kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, anëtarët Naime Krasniqi- Jashanica, Valbona Selimaj, si dhe prokurori  Valdet Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të vitit të kaluar, Nexhat Ademin e kishte dënuar me tre vite burgim për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Ndryshe, këtë çështje penale, Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim me arsyetimin se ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerrë me shkelje të dispozitave procedurale dhe se në të nuk janë paraqitur fare arsyet në lidhje me faktet vendimtare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Nexhat Ademin e akuzonte se më 17 janar 2014 ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, e nga aty ka arritur të kalojë në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ademi pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

Prokuroria pretendon se Ademi më 4 mars 2016 ka provuar që përsëri të shkojë në Siri, duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, mirëpo i njëjti pasi mbërrin në Aeroportin e Stambollit, autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.