Rrëfimet për Krime Lufte Përkthehen Anglisht

Promovimi i dy vëllimeve të përkthyera të librit “Krimet e Shtetit Serb në Kosovë 1998-1999” u bë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ndërsa libri pritet t’u dorëzohet institucioneve ndërkombëtare në Kosovë si dokumentim i krimeve.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Ramë Manaj duke folur për rëndësinë e këtyre vëllimeve në gjuhën angleze, tha se libri që përurohet sot paraqet një thesar shumë të çmuar me fakte krejtësisht të qëndrueshme që flasin dhe rrëfejnë shumë.

“Ne ketë përkthim tani e tutje të dhënat trishtuese po të vërteta të luftës në Kosovë mund t’i ofrohen edhe lexuesit anglofon në mënyrë që tabloja e plotë të paraqitet edhe përtej Atlantikut edhe me tej. Kur faktet flasin, komentet sikur janë të panevojshëm. Rrëfimet janë origjinale, tregohen nga goja e të shpëtuarve për fatin e keq të më të dashurve të tyre,” tha Manaj.

Ismet Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtime të Krimeve Serbe në Kosovë tha se disa nga krimet e përshkruara në këto vëllime njihen si vepra të pastra gjenocidi.

“Siç tregon edhe Osmani në këto vëllime, këto krime kanë qenë të planifikuara nga instancat me të larta shtetërore dhe ushtarake të Serbisë. Duke realizuar këto plane në  mënyre sistematike, forcat ushtarake e policore  vranë rreth 13000 civilë dhe dëbuan gati 1 milion shqiptarë nga vendi, po ashtu dhunuan shume gra dhe vajza,” tha Salihu.

Autori i vëllimeve, historiani Jusuf Osmani, tha se nuk guxojmë t’i harrojmë krimet që janë bërë.

“Mos të heshtim, se heshtja çon drejt harresës, e harresa drejt pushimit të ekzistimit. Vdekja nuk është përfundim i jetesës së viktimës, po harresa e saj. Viktima është e vdekur vetëm kur ajo harrohet. Të vrarët nuk janë numra, por kanë emra, kanë familje dhe kujtohen nga shoqëria, ndërsa fati tyre duhet të ndriçohet,” tha Osmani.

Autori i vëllimeve të përkthyera kritikoi edhe misionet ndërkombëtare të pasluftës në Kosovë që sipas tij bënë shumë pak për zbulimin e kryerësve të këtyre krimeve.