Arkiv: Ultrazëri i dhuruar nga rotarianët | Foto: Klubi i Rotarianëve "Prishtina"

Rotarianët Dhurojnë Pajisjen e Ultrazërit për Foshnjat e Prishtinës

Klubi i Rotarianëve “Prishtina” i dhuroi Qendrës së Mjekësisë Familjare në kryeqytet një pajisje ultrazëri për zbulimin e defekteve të ijeve te foshnjat e porsalindura.

Në ceremoninë e dhurimit të pajisjes, kryetari i Klubit të Rotarianëve “Prishtina” Mërgim Prishtina, tha se ky veprim i bën të gjithë të ndihen mirë.

“Kjo iniciativë e cila na bën të gjithëve të ndihemi mirë është e një natyre të veçantë sepse kontribuon në mirëqenien e fëmijëve si pjesa më vitale e çdo shoqërie”, tha Prishtina.

Rotarianët për dhurimin, sipas një komunikate të lëshuar nga ky klub, i falënderoi Arben Vitia, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

“Ky donacion nga rotarianët është një investim i rëndësishëm për fëmijët tanë, me qëllim rritjen e shëndetshme të tyre, duke parandaluar probleme përmes diagnostikimit të hershëm”, tha Vitia.

Për pajisjen e ultrazërit rotarianët e Klubit “Prishtina” grumbulluan 9200 euro, ndërsa më herët në takim me zyrtarë të Komunës së Prishtinës e kishin identifikuar mungesën e një pajisjeje të tillë.

Klubi i Rotarianëve “Prishtina” u themelua në vitin 2006.