Seanca e gjykimit për rekrutim në terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Rizvanolli: Nuk e Mbështes ISIS-in

Fatos Rizvanolli, i akuzuari për rekrutim në terrorizëm mohoi në gjykatë se mbështet ideologjinë e ISIS-it.

Ai mohoi se ndihmoi financimin ose rekrutimin për këto grupe terroriste.

“Asnjëherë nuk kam mbështetur, ndihmuar apo financuar asnjë individ apo grup të caktuar që është marrë me aktivitete terroriste dhe kjo do të provohet gjatë shqyrtimit gjyqësor,” tha Rizvanolli.

Fatos Rizvanolli, i akuzuar për rekrutim për terrorizëm së bashku me Zeqirja Qazimin, Ilir Berishën dhe Sadat Topojanin, është deklaruar i pafajshëm në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij.

Por prokurori Elez Blakaj, tha se aktiviteti i Rizvanollit në grupin terrorist ka qenë që të sigurojë fonde materiale.

“Me dashje me të pandehurit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha dhe Sadat Topojani kanë marrë pjesë në aktivitetet e grupeve terroriste që të sigurojnë fonde dhe burime materiale në atë mënyrë që më 24 korrik 2012 me veturën e tij ka transportuar Shukri Aliun deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë në Siri për të luftuar,” tha Blakaj.

Blakaj tha se të paktën tri bileta të personave që kanë shkuar në Siri janë paguar nga Rizvanolli.

“Më 18 nëntor 2012 përmes agjensionit turistik ‘Pegasus, i pandehuri Fatos ka paguar tri bileta udhëtimi Prishtinë-Stamboll dhe Stamboll- Hataj, qytet në kufi me Sirinë dhe atë për Burim Konjuhin, Arben Demollin dhe Burim Demollin, ku këta dy të fundit janë ende në Siri,” lexoi aktakuzën Blakaj.

Krejt këto akuza u hodhën poshtë nga Fatos Rizvanolli që u deklarua se është i pafajshëm.

“Deklarohem se jam plotësisht i pafajshëm ndaj kësaj aktakuze,” tha Rizvanolli.

Ky deklarim nuk ia mbushi mendjen prokurorit Blakaj.

“Provat e ofruara nga PSRK-ja për t’u administruar në këtë gjykim do të provojnë një pasqyrë të qartë dhe do të materializojnë figurën e veprës penale, rekrutim për terrorizëm dhe do të na dërgojnë tek një adresë, e ajo adresë identifikohet me tani të pandehurin Fatos Rizvanolli për të cilin prokuroria do të kërkojë nga gjykata ta shpallë fajtor dhe dënojë sipas ligjit,” tha Blakaj.

Por avokati Besnik Berisha tha se klienti i tij assesi nuk mund të ndërlidhet me terrorizëm.

“Unë jam afër këtu sot,  një afaristi,  një njeriu familjar, babai të tre fëmijëve, predikuesi të fesë, por assesi i terrorizmit. I bindur se Rizvanolli, unë dhe secili në këtë mes dënojmë çdo aktivitet të organizatave terroriste, qofshin ato ISIS dhe ‘Al-Nusra’ dhe qofshin edhe të tjera,” tha Berisha.

Berisha pati vërejtje edhe në ligjshmërinë e aktakuzës.

“Aktakuza e ndryshuar e dorëzuar me datën 20 qershor 2016 kur hetimet në këtë çështje penale kanë përfunduar me 10 prill 2016, është e kundërligjshme.

Berisha propozoi si dëshmitar Zeqirja Qazimin, ish-imamin e dënuar me 10 vjet burg po për rekrutim në terrorizëm, duke shprehur bindjen se Qazimi do t’i demantojë pretendimet e prokurorisë.

Seanca e radhës do të mbahet më 4 nëntor

10:24

Fatos Rizvanolli i akuzuari për rekrutim në terrorizëm u deklarua i pafajshëm.

Rizvanollit në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Ferizaj iu lexua aktakuza nga prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj.

Pas leximit të aktakuzës ai u pyet se si ndihej në lidhje me akuzën për rekrutim në terrorizëm. Rizvanolli kësaj pyetje iu përgjigj me fjalët se ndihej plotësisht i pafajshëm.

Aktualisht në gjykatë është duke u paraqitur fjala fillestare e palëve.

Më 23 shtator KALLXO.com shkroi për dënimin e Musa Ademit me pesë vjet burg për rekrutim në terrorizëm.

http://kallxo.com/denim-per-terrorizem/

për këtë vepër penale u dënua në muajin maj të këtij viti me 10 vjet burg edhe Zeqirja Qazimi, ish-imami në xhaminë “El-Kudus” të Gjilanit.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/