Adem Grabovci - Foto: KALLXO.com
Rikthimi jetëshkurtër i Adem Grabovcit në strukturat e PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës ditë më parë mbajti kuvendin zgjedhor ku nxori kandidatët më të votuar për Këshillin Drejtues të kësaj partie.
Por, ai mund të mos e mbajë postin të cilin e fitoi të dielën.
Sot, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli mori vendim që të gjithë zyrtarët e parisë që kanë aktakuza të lirohen nga detyra zyrtare dhe funksionet brenda partisë.
Adem Grabovci akuzohet në rastin e njohur “Pronto”.
Pas ngritjes së aktakuzës, Adem Grabovci ishte larguar nga skena publike politike duke u kufizuar vetëm në disa tubime të mbyllura të partisë dhe takimeve me drejtues të saj.
Për një kohë, ishte raportuar se do të provojë të kandidojë edhe për kreun e degës së PDK-së në Pejë, por nuk e shpalli kandidaturën.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
KALLXO.com pati raportuar se në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare.
https://kallxo.com/vendimi-i-apelit-adem-grabovci-dhe-te-tjeret-do-te-gjykohen-per-rastin-pronto/